ELBASAN , 5 nëntor 2026 / Albania Express News /-Elbasani do të jetë mikpritës i një aktiviteti të rëndësishëm ndërkombëtar të volejbollit. Në datat 27, 28 dhe 29 nëntor, Pallati i Sportit “Tomorr Sinani” do të presë Kupën e Pavarësisë, një kompeticion ku do të marrin pjesë përfaqësueset e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e këtij aktiviteti, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Kulturës dhe Sporteve në Bashkinë Elbasan, Artin Kovaçi, priti në një takim Presidentin e Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe njëkohësisht Zv.Presidentin e KOKSH-it, Erlind Pëllumbi, si dhe Sekretarin e Federatës, Ervis Dosti.

Gjatë takimit u diskutuan detajet organizative dhe bashkëpunimi institucional për zhvillimin me sukses të këtij aktiviteti, i cili pritet të sjellë në Elbasan sportistë, delegacione dhe përfaqësues të volejbollit nga tri vendet pjesëmarrëse.
Organizimi i Kupës së Pavarësisë përbën një mundësi të rëndësishme për promovimin e sportit, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe përcjelljen e mesazheve të miqësisë përmes garës sportive.

Klubi Shumësportësh Elbasani dhe Federata Shqiptare e Volejbollit vijojnë bashkëpunimin për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sporti, mbështetjen e talenteve të reja dhe sjelljen në qytet të kompeticioneve me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare.
Për tri ditë, Elbasani do të jetë në qendër të vëmendjes së volejbollit rajonal, duke e kthyer Kupën e Pavarësisë në një festë të sportit dhe të bashkëpunimit mes tri vendeve.


