ELBASAN , 5 nëntor 2026 / Albania Express News /-Policia e Elbasanit ka bërë të ditur dyshimet paraprake për shkakun e shpërthimit të fuqishëm që tronditi qytetin mesditën e së mërkurës, duke shkaktuar shkatërrime të mëdha në një pallat në lagjen “Qemal Stafa” dhe duke u marrë jetën dy personave.
Sipas hetimeve paraprake, shpërthimi dhe zjarri që pasoi dyshohet se janë shkaktuar nga prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit Hamit Ibro, pronari i apartamentit ku nisi ngjarja tragjike.
Bilanci tragjik është dy viktima: Hamit Ibro, 69 vjeç, trupi i pajetë i të cilit u gjet rreth orës 00:40, pas disa orësh kërkimesh intensive nën rrënoja, si dhe Hatixhe Berisha, 82 vjeçe, e cila humbi jetën në vendngjarje.
Ndërkohë, 10 banorë të tjerë të pallatit mbetën të dëmtuar dhe morën ndihmë mjekësore në spital. Fatmirësisht, ata u larguan nga ambientet spitalore, ndërsa dëmet materiale në ndërtesë janë të konsiderueshme.
Në operacionin e kërkim-shpëtimit u angazhuan Policia e Elbasanit, Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile dhe shërbimet zjarrfikëse. Në hetime morën pjesë gjithashtu ekspertë xhenierë të RENEA-s, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit.
Policia bën me dije se grupi i posaçëm hetimor vijon këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe veprimet procedurale për të përcaktuar plotësisht rrethanat dhe shkakun e shpërthimit.
Ngjarja ka tronditur rëndë qytetin e Elbasanit, ndërsa përmasat e shkatërrimit kanë ngritur pikëpyetje edhe për sigurinë e ndërtesës dhe rrezikun që mund të kenë përballuar banorët e tjerë.

