TIRANË ,7 korrik 2026/Albania Express News/-Nga viti 1920 deri në vitin 1939, periudhë që Eqrem bej Vlora e cilëson si “koha e Zogut”, u hodhën themelet e shtetit modern shqiptar, i njohur ndërkombëtarisht nga fuqitë e kohës. Gjatë kësaj periudhe, sipas autorit, shteti shqiptar u përball me tetë përpjekje për përmbysjen e rendit kushtetues: tre grushte shteti dhe pesë kryengritje të armatosura. Këto lëvizje organizoheshin nga drejtues të opozitës së kohës, të cilët, pas humbjes së zgjedhjeve, të nxitur edhe nga interesa të jashtme, ndërmerrnin veprime që cenonin stabilitetin e shtetit.
Ndaj Ahmet Zogut u organizuan disa atentate. Pas vitit 1926, Jugosllavia u përfshi, sipas disa autorëve, në financimin dhe mbështetjen e një pjese të këtyre përpjekjeve, si dhe të trazirave në Shqipërinë Veriore.
Historiani amerikan Bernd Fischer ka shkruar: “Të ishe truprojë e Zogut ishte njësoj si të ishe roje nate në një fabrikë baruti, rreth së cilës shkreptijnë vazhdimisht vetëtima.”
Pas dy grushteve të dështuara të shtetit dhe në kohën kur Ahmet Zogu po përgatitej të krijonte një shumicë të re qeverisëse në bashkëpunim me grupin e Iljaz Vrionit, kundërshtarët politikë vendosën ta eliminonin përmes një atentati.
Selia e Kuvendit Kushtetues ndodhej në godinën e Zija Toptanit (sot Akademia e Shkencave). Më 23 shkurt 1924, rreth orës 14:30, ndërsa deputetët diskutonin zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, kryeministri Ahmet Zogu, pasi kishte zhvilluar një takim me ministrin britanik në Shqipëri, u qëllua nga pas në korridor nga Beqir Valteri. Ai mori plagë në dorën e majtë, në bark dhe në pulpën e këmbës së majtë.
Duke menduar fillimisht se të shtënat kishin ardhur nga salla e Parlamentit, Zogu hyri brenda me armë në dorë, i gjakosur, dhe u ul në vendin e sekretarisë.
Sipas këtij rrëfimi, edhe pse i plagosur, ai urdhëroi rojet dhe ushtrinë, që tashmë kishin rrethuar godinën, të mos ndërmerrnin asnjë veprim hakmarrës, me qëllim shmangien e një masakre dhe të një lufte civile. Para deputetëve ai u shpreh:
“Mos u shqetësoni! Këto janë gjëra që ndodhin shpesh e kudo, edhe në shtetet më demokratike të Perëndimit. Unë jam mirë. U lutem miqve të mi ta peshojnë rastin me gjakftohtësi dhe pastaj të veprojnë.”
Ndërkohë, atentatori ishte mbyllur në një nga banjat e godinës dhe vazhdonte të qëllonte me revole, duke plagosur tre policë. Ali Këlcyra, Selahudin Blloshmi dhe Qazim Koculi u ngarkuan të negocionin dorëzimin e tij, duke i garantuar jetën.
Sipas Eqrem Vlorës, atentati ishte përgatitur nga drejtues të opozitës, të cilët kishin stërvitur Beqir Valterin për realizimin e vrasjes. Edhe në kujtimet e Veli Harshovës përmendet se Avni Rustemi kishte shprehur dëshirën ta kryente vetë atentatin, por kishte hequr dorë.
Më 24 shkurt 1924, kryeprokurori Avni Dabulla dhe hetuesi Avni Drrasa morën në pyetje Ahmet Zogun në banesën e tij. Ai deklaroi se e njihte Beqir Valterin prej disa vitesh dhe se e kishte ndihmuar financiarisht për studime në Itali, ndërsa më pas e kishte sistemuar në Liceun e Korçës. Zogu theksoi se nuk kishte pasur asnjë konflikt me të dhe se i kishte bërë vetëm të mira.
Në dëshminë e tij, Beqir Valteri deklaroi se bënte pjesë në një organizatë të drejtuar nga Avni Rustemi dhe se ishte nxitur të kryente atentatin, me bindjen se nuk do të dënohej rëndë. Ai pranoi gjithashtu se prej dy muajsh kërkonte mundësinë për të vrarë Zogun.
Edhe Avni Rustemi u mor në pyetje. Ai pranoi se e njihte Valterin dhe se kishte ndërhyrë për të pranë Ministrisë së Arsimit, por mohoi çdo përfshirje në organizimin e atentatit, duke e cilësuar veprim individual.
Dëshmitari Sali Vuçiterni deklaroi se ditën e atentatit kishte parë Beqir Valterin duke shëtitur në zonën e Shallvareve së bashku me Avni Rustemin dhe Sali Hoxhën.
Në një tjetër seancë hetimore, më 22 mars 1924, Beqir Valteri deklaroi se Avni Rustemi i kishte thënë: “Ju jeni shpresa e kombit, nga ju varen të gjitha, bjeri.” Fillimisht, sipas tij, kishte menduar ta kryente atentatin në hotelin “Internacional”, por Rustemi i kishte sugjeruar që vendi më i përshtatshëm ishte Kuvendi.
Për këto deklarime, Avni Rustemi u pyet sërish më 25 mars 1924, por ai i hodhi poshtë, duke pretenduar se Valteri vuante nga probleme nervore dhe kishte një temperament të rrëmbyer.
Edhe Ahmet Zogu, në një tjetër dëshmi, këmbënguli se atentati nuk mund të ishte organizuar nga një person i vetëm. Megjithatë, ai refuzoi të përmendte emra, duke deklaruar se nuk i takonte dinjitetit të tij të akuzonte pa prova. Ai kërkoi që hetimet të përqendroheshin te lidhjet, shoqëria dhe burimi i armëve të atentatorit. Gjithashtu, pohoi se kishte marrë informacion paraprak për mundësinë e një atentati brenda Kuvendit.
Mbi bazën e kësaj dëshmie u mor në pyetje edhe komisari Sadik Zharri, i cili deklaroi se e kishte paralajmëruar kryeministrin për rrezikun e atentatit.
Sipas këtij rrëfimi historik, Ahmet Zogu më pas e fali atentatorin dhe u kujdes që gjatë hetimeve ai të trajtohej mirë dhe të mos vuante dënim të rëndë. Ky veprim konsiderohet nga autori si një rast i rrallë në historinë shqiptare dhe paraqitet si dëshmi e karakterit dhe vizionit të Zogut.
P.S.
Beqir Valteri, i cili në një fotografi të vitit 1932 shfaqet në Vjenë pranë Hasan Prishtinës, u largua në Francë në vitin 1925 dhe u kthye në Shqipëri në vitin 1939, pas pushtimit italian. Më pas u anëtarësua në Partinë Fashiste.
Në vitin 1945 u pushkatua nga regjimi komunist së bashku me 17 persona të tjerë, mes tyre edhe Bahri Omari, kunati i Enver Hoxhës.
Bibliografi
- Kastriot Dervishi, Historia e Shtetit Shqiptar 1912–2005, Tiranë, 2006.
- Kastriot Dervishi, Plumba Politikës, Tiranë, 2009.

