Drejtori i IEVP Peqin,Altin Ago reagon pas sulmeve politike : “Asnjë presion nuk më lëkund, ligji do të zbatohet me integritet dhe profesionalizëm”

PEQIN ,20 qershor 2026/ Albania Express News /Drejtori i IEVP Peqin, Altin Ago, ka reaguar publikisht përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në rrjetet sociale, pas debatit dhe sulmeve që kanë shoqëruar emrin e tij gjatë kësaj fundjave, ku ai është vënë në qendër të akuzave dhe kritikave nga një prej figurave kryesore të Partisë Demokratike, Flamur Noka.

Në mesazhin e tij, Ago ka zgjedhur të japë një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke theksuar se drejtimi i një institucioni penitenciar të sigurisë së lartë nuk është thjesht një detyrë administrative, por një mision që kërkon përgjegjësi, vendosmëri dhe përkushtim të vazhdueshëm ndaj ligjit.

Teksa publikoi edhe pamje nga ambientet e IEVP Peqin, ku shfaqet së bashku me efektivët e sigurisë, drejtori i burgut më të madh të sigurisë së lartë në vend deklaroi se institucioni që ai drejton mbetet i fokusuar te garantimi i rendit dhe sigurisë, pavarësisht zhurmës politike apo mediatike.

“Jemi të vetëdijshëm se çdo vendim i drejtë dhe çdo hap përpara në forcimin e ligjit shpesh ndeshet me tentativa për të na intimiduar përmes dezinformimit apo materialeve të vjetra, të nxjerra jashtë kontekstit”, shkruan Ago në reagimin e tij.

Ai thekson se përpjekjet për të ushtruar presion ndaj tij apo stafit të institucionit nuk do të ndikojnë në punën e përditshme të administratës penitenciare, duke nënvizuar se çdo sulm i tillë vetëm sa i bën më të vendosur për të vijuar misionin e tyre.

Në deklaratën e publikuar, drejtori i IEVP Peqin shprehet se ekipi i tij mbetet i bashkuar dhe i palëkundur përballë çdo sfide, ndërsa institucioni, sipas tij, është më i fortë se çdo sulm apo polemikë që mund të krijohet në opinionin publik.

“Ne vazhdojmë përpara, me ndërgjegje të pastër dhe me fokus të plotë te siguria, rendi dhe stabiliteti”, përfundon mesazhi i Altin Agos.

Reagimi vjen në një moment kur zhvillimet që lidhen me IEVP Peqin dhe drejtimin e këtij institucioni kanë tërhequr vëmendje të shtuar politike dhe mediatike, ndërsa vetë Ago ka zgjedhur të përgjigjet duke vënë theksin te puna e strukturave të sigurisë dhe respektimi i ligjit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME