Aksidenti i autobusit me nxënës në hyrje të Elbasanit ngre alarmin për sigurinë rrugore, reagon deputeti socialist Adi Qose :Koha për investime dhe masa më të forta ,duhet të përshpejtohet ndërtimi i bypass-it

ELBASAN ,18 qershor 2026/Albania Express News/Aksidenti i rëndë i ndodhur këtë të mërkurë në hyrje të qytetit të Elbasanit ka sjellë reagime të shumta nga autoritetet dhe përfaqësuesit politikë, ndërsa deputeti socialist i qarkut të Elbasanit, Adi Qose, ka shprehur shqetësimin e tij për ngjarjen dhe ka bërë thirrje për më shumë masa në funksion të sigurisë rrugore.

Përmes një reagimi publik, Qose deklaroi se e kishte ndjekur me shqetësim lajmin për aksidentin e ndodhur në një nga akset më të ngarkuara të qytetit, duke uruar që të gjithë personat e lënduar të rikuperohen sa më shpejt dhe që pasojat e ngjarjes të jenë sa më të lehta.

“Me shqetësim ndoqa lajmin për aksidentin e rëndë të ndodhur pak minuta më parë në hyrje të qytetit të Elbasanit. Uroj nga zemra që të gjithë të lënduarit të kenë një shërim sa më të shpejtë dhe pasojat e kësaj ngjarjeje të jenë sa më të lehta”, shprehet deputeti.

Në reagimin e tij, Qose thekson se aksidente të tilla janë një kujtesë e fortë për nevojën e rritjes së sigurisë në rrugë, duke e cilësuar këtë çështje si një prioritet kombëtar. Sipas tij, rritja e vazhdueshme e qarkullimit të automjeteve, si dhe fluksi i shtuar i lëvizjeve gjatë sezonit turistik, e bëjnë edhe më të domosdoshëm investimin për realizimin e bypass-it të Elbasanit.

Deputeti socialist nënvizon se ndërtimi i kësaj vepre infrastrukturore do të ndikonte ndjeshëm në lehtësimin e trafikut, uljen e ngarkesës së automjeteve që kalojnë përmes qytetit dhe rritjen e standardeve të sigurisë për drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët.

“Rritja e qarkullimit dhe fluksit të automjeteve, veçanërisht gjatë sezonit turistik, e bën edhe më emergjente realizimin e bypass-it të Elbasanit, si një investim i domosdoshëm për të lehtësuar trafikun dhe për të rritur sigurinë e qytetarëve”, theksoi ai.

Më tej, Qose kërkon forcimin e masave ndaj shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, duke vënë theksin te nevoja për ndërgjegjësim më të madh të qytetarëve dhe respektim më rigoroz të normave të sigurisë. Ai propozon gjithashtu hapjen e një debati serioz institucional dhe publik mbi masat konkrete që duhen ndërmarrë për të parandaluar aksidente të ngjashme në të ardhmen.

Sipas deputetit, siguria rrugore nuk lidhet vetëm me infrastrukturën, por është një përgjegjësi e përbashkët që përfshin institucionet shtetërore, organet ligjzbatuese, drejtuesit e automjeteve dhe vetë qytetarët.

“Çdo aksident i rëndë është një kujtesë e dhimbshme se siguria në rrugë nuk është vetëm çështje infrastrukture, por edhe përgjegjësi e institucioneve, e drejtuesve të mjeteve dhe e secilit prej nesh”, përfundon reagimi i tij.

Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, ndërsa ngjarja ka rikthyer në vëmendje problematikat që lidhen me trafikun e rënduar dhe sigurinë rrugore në hyrje të qytetit të Elbasanit, një zonë ku prej vitesh kërkohet ndërhyrje infrastrukturore për të shmangur situata të ngjashme.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Dy javë pas zhdukjes, gjendet një trup i pajetë në Cerrujë, dyshohet se i përket Eglant Koçit

ELBASAN ,18 qershor 2026/Albania Express News/Një zhvillim i rëndësishëm...

Avokati i Popullit nis hetimin e veprimeve të policisë ndaj protestuesve, takon aktivistët e proceduar

TIRANË, 18 qershor 2026/Albania Express News/ Avokati i Popullit,...

Kosova sërish në ngërç, Kurti fiton zgjedhjet, por Presidenti kërkon marrëveshje politike

KOSOVË ,18 qershor 2026/Albania Express News /Zgjedhjet e parakohshme...