Kurbini, një parajsë turistike vetëm pak minuta larg Tiranës

NGA YMER HYSA

KURBIN ,16 qershor 2026/Albania Express News/Nëse ekziston një vend në Shqipëri ku natyra ka bashkuar detin, lagunën, fushën, kodrat dhe malin në një hapësirë të vetme, ai është padyshim Kurbini. Vetëm 45 kilometra larg Tiranës, rreth 20 minuta nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit, rreth një orë nga Porti i Durrësit dhe vetëm 30 minuta nga Porti i Shëngjinit, kjo trevë përfaqëson një nga potencialet më të mëdha turistike dhe agroturistike të vendit.

Me një sipërfaqe prej rreth 23 mijë hektarësh dhe një biodiversitet të jashtëzakonshëm, Kurbini është një mozaik natyror ku ndërthuren toka pjellore, lumenjtë, rezervuarët ujore, lagunat, vija bregdetare dhe peizazhet malore. Klima e favorshme, numri i madh i ditëve me diell dhe burimet e shumta natyrore e kanë kthyer këtë zonë në një territor që prodhon pothuajse gjithçka që i nevojitet jetës.

Por pasuria e Kurbinit nuk qëndron vetëm te natyra. Kjo është një trevë me histori, traditë, besim dhe mikpritje. Këtu ndodhet edhe Kisha e Shën Ndoit, një nga vendet më të rëndësishme të pelegrinazhit në Shqipëri, ku gjatë 13 të martave të vitit mblidhen mbi një milion besimtarë e vizitorë.

Një tokë që prodhon cilësi

Në rreth 10 mijë hektarë tokë bujqësore kultivohen drithëra, perime, kultura industriale dhe një gamë e gjerë pemësh frutore. Ullinjtë e Gjormit, Zhejës dhe Shëmrisë, mollët e Zhejës, gështenjat e Daulës e Selitës, rrushi, shegat, arrat dhe fiqtë janë bërë tashmë simbol i kësaj treve dhe dëshmi e traditës shumëvjeçare të kultivimit.

Po aq e njohur është edhe tradita në blegtori, ku cilësia e mishit dhe e qumështit është kthyer në një markë identitare të zonës. Nuk është rastësi që prej vitesh vazhdon të përsëritet shprehja popullore se “dhija e Skurajt ka një brinjë më shumë”, si metaforë për cilësinë dhe shijen e veçantë të mishit të saj.

Patoku, destinacioni që mbledh mijëra vizitorë

Në vitet e fundit, Patoku është shndërruar në një prej destinacioneve më të preferuara gastronomike dhe turistike në Shqipëri.

Vizitorët nuk tërhiqen vetëm nga bukuria e lagunës dhe peizazhi i saj unik, por mbi të gjitha nga peshku i egër i freskët dhe kuzhina tradicionale që ofrojnë restorantet e ngritura përgjatë saj.

Sidomos gjatë fundjavave, kërkesa është aq e lartë sa rezervimet paraprake janë bërë domosdoshmëri.

Po aq të njohura janë edhe restorantet tradicionale të mishit të gicit pranë kryqëzimit të Patokut, mishi i kecit në Skuraj, gatimet tradicionale në Fushë-Milot, si dhe agroturizmet dhe restorantet në Gjorëm, ku ndërthuren kuzhina autentike shqiptare, mikpritja dhe shërbimi cilësor.

Produkte natyrale dhe standarde të sigurta

Një nga asetet më të rëndësishme të Kurbinit mbetet cilësia e produkteve vendase.

Sipas përvojës shumëvjeçare të autorit në sektorin veterinar dhe bujqësor, monitorimi laboratorik dhe gjurmueshmëria e produkteve kanë treguar standarde të larta sigurie ushqimore.

Kontrollet periodike, analizat laboratorike dhe zbatimi i masave profilaktike kanë bërë që në produktet shtazore dhe bimore të mos evidentohen mbetje mbi normat e lejuara. Gjithashtu, prej më shumë se dy dekadash nuk janë regjistruar raste të sëmundjeve të rrezikshme zoonotike si plasje, tërbim, tuberkuloz apo brucelozë.

Në shumë zona përdoren praktika tradicionale të kultivimit, me përdorim minimal ose aspak të kimikateve dhe herbicideve, duke i dhënë produkteve të Kurbinit reputacionin e ushqimeve natyrale dhe organike.

Një thesar ende i pazbuluar plotësisht

Përveç potencialit gastronomik, Kurbini ofron edhe një pasuri të jashtëzakonshme monumentesh natyrore, historike dhe kulturore.

Laguna e Patokut, Gotulla, Mali i Trolles, Kështjella e Daulës dhe Sebastes, Kisha e Shna Prendes, Shkolla e Parë Shqipe në Kurbin, Mulliri i Fallës, Kisha e Shemrisë, Qendra Ipeshkvnore e Delbnishtit, selvitë monumentale, Gurrat e Gjormit dhe të Zhejës, Ulliri Monumental i Gjormit, Ujvara dhe Shkëmbi me Fytyrë Njeriu në Gjorëm, Gështenja e Daulës, Frashëri i Skurajt, Lisi i Fushë-Kuqes dhe Ura e Zogut mbi lumin Mat përbëjnë një itinerar të jashtëzakonshëm që meriton të jetë pjesë e guidave turistike kombëtare dhe ndërkombëtare.

Moratoriumi i gjuetisë ka ndikuar gjithashtu në rigjallërimin e faunës së zonës, duke shtuar më tej vlerat ekologjike dhe turistike të kësaj treve.

Një potencial që kërkon vizion

Kurbini nuk ka nevojë të shpikë pasuritë e tij. Ai i zotëron tashmë: natyrën, historinë, besimin, traditën, gastronominë dhe njerëzit punëtorë.

Sfida mbetet menaxhimi inteligjent, investimi në infrastrukturë, promovimi turistik dhe mbështetja e prodhimit vendas, në mënyrë që kjo pasuri të kthehet në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social.

Ky është Kurbini i lashtë dhe heroik, i besës dhe mikpritjes, një territor ku politika duhet të ndërtojë zhvillim e jo ndarje, ku aftësia duhet të mbizotërojë mbi militantizmin dhe ku potenciali i jashtëzakonshëm natyror e njerëzor meriton të shndërrohet në një histori suksesi për gjithë Shqipërinë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Socialistët e Shkodrës tregojnë si u përplas Neomalësorja ,Marjana Koçeku me Kryeministrin Ramën

TIRANË ,16 qershor 2026/Albania Express News/Megjithëse ende jo zyrtarisht,...

“Çohuni nga kafja”, dita e 17-të e protestës, qytetarët marshojnë në rrugët e kryeqytetit: Bashkohuni me ne

TIRANË ,16 qershor 2026/Albania Express News/Po mbahet në kryeqytet...

“E provuam për adrenalinë”, çifti kapet duke kryer marrëdhënie brenda xhamisë, dëshmia e rojës: Mendova se…

TURQI ,16 qetshor 2026/Albania Express News/Një ngjarje e pazakontë...