TIRANË, 30 maj 2026 /Albania Express News/ Gjermania ka rikonfirmuar mbështetjen për Shqipërinë në luftën kundër përhapjes së armëve të vogla ilegale dhe krimit të organizuar, përmes dorëzimit të një impianti të ri për çaktivizimin e sigurt të armëve pranë autoriteteve shqiptare.
Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, zëvendësambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Thilo Schroeter, vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve në forcimin e sigurisë dhe luftën ndaj veprimtarive të paligjshme.
“Lufta kundër armëve të vogla ilegale është një sfidë e përbashkët për Shqipërinë dhe partnerë si Gjermania”, u shpreh Schroeter.
Gjermania, së bashku me BE-në dhe Francën, është një ndër mbështetësit e një projekti të OSBE-së, i cili ndihmon autoritetet shqiptare në luftën kundër përhapjes së armëve të vogla dhe municioneve.
Përveç çaktivizimit, projekti forcon gjithashtu, kapacitetet e Policisë në kërkimin e armëve përmes qenve nuhatës.
Gjermania, përmes këtij projekti si edhe përmes një bashkëpunimi të ngushtë policor, qëndron në krah të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar.

