Inxhinieri Fatmir Brazhda ka ngritur alarmin për një nga problemet më shqetësuese mjedisore që po prek sot vijën bregdetare shqiptare ,zhdukjen graduale të brezave mbrojtës me pisha, të cilët për dekada me radhë kanë shërbyer si mburojë natyrore për ekosistemin, tokat bujqësore dhe vetë komunitetet bregdetare.
Sipas tij, gjatë sistemit para viteve ’90, në shumë zona të bregdetit shqiptar u mbollën me qindra hektarë pyje me pisha, duke krijuar breza të fuqishëm mbrojtës natyrorë në zona si Divjaka, Qerreti, Spilleja, Velipoja, Semani, Darëzeza, Kune-Vaini, Zvërneci dhe shumë pika të tjera të vijës bregdetare.
Sot, këto sipërfaqe të gjelbra po zhduken me ritme alarmante për shkak të ndërtimeve të shumta dhe urbanizimit të pakontrolluar, që sipas specialistëve po mbipopullon në mënyrë ekstreme bregdetin shqiptar, duke rrezikuar jo vetëm natyrën, por edhe balancat ekologjike të zonave turistike.
Inxhinieri Fatmir Brazhda thekson se brezat mbrojtës pyjorë nuk janë thjesht dekor natyror, por një element jetik për mbrojtjen e territorit dhe klimës. Pishat bregdetare krijojnë një “mur natyror” që ul forcën e erërave të forta detare, mbron tokat bujqësore dhe banesat, si edhe redukton dëmet që shkaktohen nga kripa e detit.
Një tjetër funksion i rëndësishëm është stabilizimi i dunave ranore. Sistemi rrënjor i pishave ndihmon në fiksimin e rërës, pengon lëvizjen e dunave dhe ul ndjeshëm erozionin bregdetar, fenomen që vitet e fundit po bëhet gjithnjë e më shqetësues në disa zona të vendit.
Po ashtu, pyjet bregdetare ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mikroklimës, ruajnë lagështinë, ulin temperaturat ekstreme dhe krijojnë kushte më të favorshme për zhvillimin e florës dhe faunës. Këto hapësira shërbejnë si habitat natyror për shumë specie shpendësh, gjitarësh të vegjël, insektesh polenizuese dhe organizmash të tjerë të rëndësishëm për biodiversitetin.
Në kohën kur ndryshimet klimatike po ndihen gjithnjë e më shumë, rëndësia e pyllëzimeve bëhet edhe më e madhe. Brezat me pisha ndihmojnë në thithjen e dioksidit të karbonit (CO₂), përmirësojnë cilësinë e ajrit dhe kontribuojnë në zbutjen e efekteve të ngrohjes globale.
Sipas Fatmir Brazhdës, këto pyje kanë edhe vlera të mëdha turistike dhe ekonomike. Ato krijojnë freski, hije dhe peizazh natyror për pushuesit, duke e bërë bregdetin më tërheqës për turizmin familjar dhe ekoturizmin.
Në përfundim të reagimit të tij publik, inxhinieri apelon për ndërhyrje të menjëhershme institucionale për të ndalur dëmtimin e mëtejshëm të brezave mbrojtës natyrorë, duke e cilësuar situatën si një “batërdi” ndaj natyrës së përbashkët shqiptare.
“Duhet patjetër të merren masa sa më të shpejta për të ndalur këtë shkatërrim që po ndodh me natyrën tonë”, thekson ai.

