Prrenjasi hap sezonin turistik 2026 me festivalin madhështor “Rrajca e Valles”që bashkoi folklorin, traditën dhe historinë shqiptare

PRRENJAS,26 maj 2026/Albania Express News/Nën atmosferën e ngrohtë të fillimjavës, mes bukurive natyrore të Rrajcës dhe emocioneve që sjell folklori shqiptar, Bashkia Prrenjas organizoi një aktivitet kulturor dhe artistik të shkëlqyer në kuadër të hapjes së sezonit Turistik 2026, i cili kulmoi me zhvillimin e Festivalit Folklorik “Rrajca e Valles” ,një event ky mjaft i rëndësishëm i cili solli në skenë historinë, traditën, kulturën dhe shpirtin e trashëgimisë folklorike të kësaj treve.

Ky festival, i konceptuar si një urë lidhëse mes brezave dhe një homazh për artistët që kanë mbajtur gjallë folklorin ndër vite e shndërroi Rrajcën në një qendër të rëndësishme të kulturës popullore shqiptare, duke bashkuar ansamble artistike, artizanë, fëmijë, mësues, artistë dhe qindra qytetarë e vizitorë.

Aktivitetet nisën me panairin “Art & Zeje”, ku shkollat dhe artizanët lokalë prezantuan punime tradicionale, krijime artistike dhe elementë të trashëgimisë kulturore të zonës. Ky panair u kthye në një hapësirë të gjallë promovimi për talentin e brezit të ri dhe mjeshtërinë e ruajtur ndër vite nga komuniteti.

Më pas, skena iu dorëzua Festivalit Folklorik “Rrajca e Valles”, ku ansamble nga qytete të ndryshme shqiptare sollën interpretime autentike, valle tradicionale, kostume popullore dhe ritme që ndezën emocionet e publikut.

Në çeljen e festivalit u përcoll një mesazh tepër emocionues për historinë dhe rrugëtimin e folklorit rrajcar.

“Pamë dhe shijuam disa perla të folkut shqiptar që mbajnë emrin e Rrajcës, të interpretuara nga brezi që ka një jetë që kërcen dhe këndon. Këta janë artistët e ansamblit folklorik të Bashkisë Prrenjas,” u tha në nisje të aktivitetit, ndërsa artistët u ftuan të qëndronin në skenë mes duartrokitjeve të publikut.

Mes emocionesh të forta, u kujtua edhe rrugëtimi historik i folklorit të Rrajcës që prej vitit 1949, kur Shqipëria organizoi festivalin e parë folklorik kombëtar dhe Rrajca ishte ndër trevat që mori pjesë që në fillesë.

“Nga ai festival i parë e deri më sot, ansambli i Rrajcës nuk iu është ndarë festivaleve dhe çmimeve,” u tha gjatë moderimit, ndërsa publiku u ftua në një duartrokitje të madhe për të gjithë artistët rrajcarë që nuk jetojnë më, por që lanë gjurmë të pashlyera në folklorin shqiptar.

Një pjesë e veçantë e fjalës iu kushtua lidhjes së fortë mes natyrës dhe folklorit.

“Ky festival zhvillohet në të njëjtën ditë me hapjen e sezonit turistik në Bashkinë Prrenjas, sepse natyra dhe folklori janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën dhe nuk mund të ndahen dot,” u theksua para të pranishmëve, duke e cilësuar kulturën popullore si shpirtin e këtij territori.

Në fjalën përshëndetëse, Kryetari i Bashkisë Prrenjas z.Nuri Belba ftoi vizitorët të zbulojnë bukuritë natyrore të zonës, të pushojnë në bujtinat mikpritëse, të shijojnë gatimet tradicionale dhe të përjetojnë nga afër historinë e kulturën që e bëjnë Prrenjasin një destinacion të veçantë turistik.Ky vit tha kryebashkiaku Belba e gjen Prrenjasin me më shumë njësi akomoduese dhe Paketa e Maleve do ndikojë në zhvillimin e vrullshëm të turizmit malor në këtë zonë të mrekullueshme .

Një moment tepër poetik dhe mbresëlënës ishte edhe përshkrimi i pasurive natyrore të Prrenjasit, ku u përmendën Ura e Bushtricës, kanionet e Xixëllasit, Quksi, rrapi shekullor i Bërzeshtës, Stravaj, Sopoti i Gjorg Golemit dhe Rrajca me liqenet akullnajorë dhe pyjet e saj shekullorë.

Në skenë u sollën edhe vargjet e poetit Dritëro Agolli për Urën e Bushtricës, duke i dhënë festivalit një dimension të thellë artistik dhe historik.

Një vend të rëndësishëm në këtë aktivitet zuri edhe historia e folklorit rrajcar dhe figurat që kanë kontribuar në ruajtjen e tij ndër vite. U kujtua dhe u nderua me respekt artisti i merituar dhe koreografi i njohur Sadi Halili, si dhe emra të tjerë të traditës artistike si Destan Karaj, Skënder Karaj dhe Ramazan Turtulli.

U theksua gjithashtu se vallet e Rrajcës kanë prekur skena të shumta në Shqipëri dhe jashtë saj ,nga Kina, Rusia e Turqia, deri në Francë, Poloni, Bullgari dhe Itali ,duke fituar çmime e vlerësime të shumta ndër vite. Çmimi i fundit ishte vetëm dy javë më parë në Kosovë, si “Vallja më e mirë burimore”.

Për herë të parë, ky festival u organizua në Sutaj, pikërisht në zemër të trevës së valleve legjendare të Rrajcës, me synimin për t’i dhënë këtij aktiviteti identitetin autentik që meriton.

Në festival morën pjesë ansamble të shumta artistike nga troje të ndryshme shqiptare, mes tyre:
• Ansambli Folklorik “Visaret e Krrabës” – Tiranë
• Ansambli “Sadi Halili” – Librazhd
• Ansambli “SH.K.A Valet e Liqenit” – Ladorisht
• Ansambli “Dance Plus” – Elbasan
• Ansambli “Kaltërsia” – Kamëz
• Ansambli “SH.K.A Devolli” – Devoll
• Qendra Kulturore e Prrenjasit, e cila solli në skenë një bashkëjetesë të bukur mes brezave, nga valltarët veteranë deri te talentet më të rinj.

Një vlerësim i veçantë iu dha edhe mbështetësve të aktivitetit, si Mehmet Allidri, Erjon Alla, Market Gega dhe Leonard Halili, të cilët kontribuuan në realizimin e festivalit dhe promovimin e kulturës lokale.

Në fund të aktivitetit, drejtuesit e grupeve pjesëmarrëse u ngjitën në skenë për të marrë certifikata mirënjohjeje nga organizatorët dhe përfaqësuesit institucionalë, si një shenjë vlerësimi për punën, përkushtimin dhe dashurinë ndaj folklorit shqiptar.

Mes duartrokitjeve dhe emocioneve të forta, festivali uli siparin me një mesazh të qartë: traditat jetojnë vetëm kur trashëgohen ndër breza.

“Rrajca e Valles” nuk ishte thjesht një festival folklorik, por një takim i madh me identitetin, historinë dhe shpirtin shqiptar ,një festë që dëshmoi se kultura popullore vazhdon të jetojë fuqishëm në zemrën e njerëzve të kësaj treve.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME