PËRMET,26 maj 2026/Albania Express News/Në atmosferën e veçantë të “Ditëve Naimiane”, qyteti i Përmet u shndërrua në qendrën e kujtesës kombëtare, artit dhe spiritualitetit shqiptar, ndërsa u përkujtua 180-vjetori i lindjes së Naim Frashëri, një prej figurave më të mëdha të Rilindjes Kombëtare. Aktiviteti kulturor dhe artistik mblodhi studiues, poetë, krijues, personalitete fetare dhe dashamirës të kulturës nga të gjitha trevat shqiptare, në një homazh për poetin që i dha gjuhës shqipe shpirt, dritë dhe përjetësi.
Veprimtaria u organizua në bashkëpunim me Shoqata Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri” dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane, duke sjellë në qendër të vëmendjes trashëgiminë letrare, kombëtare dhe shpirtërore të vëllezërve Frashëri. Një moment i rëndësishëm i aktivitetit ishte promovimi i almanakut poetik “100 poetë për Naim Frashërin”, me krijime të autorëve shqiptarë dhe të huaj, si simbol i ndikimit të pavdekshëm të veprës së tij.
Një nga momentet më të rëndësishme të aktivitetit ishte fjala e mbajtur nga Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, i cili solli një mesazh të thellë shpirtëror, kombëtar dhe njerëzor mbi figurën e Naim Frashërit dhe trashëgiminë që ai la për kombin shqiptar.
Kryegjyshi Botëror Bektashian e cilësoi Naim Frashërin jo vetëm si poetin e madh të shqiptarëve, por si një udhërrëfyes shpirtëror që ndërtoi ura mes fesë, atdheut dhe njerëzimit.
“Me ndjenjë të veçantë respekti e mirënjohjeje jemi mbledhur sot në ‘Ditët Naimiane’, për të përkujtuar 180-vjetorin e lindjes së një prej figurave më të ndritura të kombit shqiptar — poetit, mendimtarit dhe rilindasit të madh, Naim Frashërit”, u shpreh ai në fillim të fjalës së tij.
Në fjalimin e mbajtur në Përmet, Kryegjyshi theksoi se fryma bektashiane ndikoi thellësisht në mendimin dhe krijimtarinë e Naimit, duke e kthyer atë në një simbol të dashurisë, tolerancës dhe njerëzisë.
Ai ndaloi veçanërisht te vepra “Fletore e Bektashinjet”, ku sipas tij, Naimi paraqet filozofinë humane dhe universale të bektashizmit.
“Naimi shkruan: ‘Bektashinjtë janë vëllezër, duan si shpirtin edhe njerinë’. Kjo fjali e thjeshtë përmbledh të gjithë filozofinë e paqes dhe humanizmit që ai mbarti gjatë gjithë jetës së tij”, theksoi Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.
Më tej, ai solli në vëmendje edhe mesazhin e pavdekshëm të poetit: “Pa dashuri s’ka jetë”, duke nënvizuar se e gjithë vepra e Naim Frashërit është ndërtuar mbi dashurinë për Zotin, për kombin, për gjuhën shqipe dhe për njerëzimin.
Në fjalën e tij u përmend edhe vepra “Qerbelaja”, ku sipas Kryegjyshit, Naimi paraqet sakrificën e Imam Hyseinit si simbol të së vërtetës, drejtësisë dhe qëndresës kundër padrejtësisë.
“Ai e ngriti figurën e Imam Hyseinit si simbol të sakrificës për të vërtetën dhe lirinë. Kjo frymë lidhej edhe me idealin kombëtar shqiptar, sepse për Naimin feja dhe atdheu nuk ishin kundërshtim, por plotësim i njëra-tjetrës”, u shpreh ai.
Një vend të veçantë në fjalim zuri edhe dashuria e Naimit për Shqipërinë, ku Kryegjyshi kujtoi vargjet e njohura:
“Ti Shqipëri, më jep nder, më jep emrin shqipëtar,
Zemrën ti ma gatove plot me dëshirë e me zjarr.”
Sipas tij, për Naim Frashërin Shqipëria nuk ishte thjesht një tokë, por një amanet shpirtëror, identitet dhe mision kombëtar.
Në fund të mesazhit të tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj apeloi për më shumë paqe, moral, dashuri dhe unitet mes shqiptarëve, duke theksuar se mesazhi i Naimit mbetet aktual edhe në ditët e sotme, në një botë që po përballet me kriza shpirtërore dhe njerëzore.
“Le të jetë kjo veprimtari një moment reflektimi për brezat e rinj, që të mësojnë nga Naimi jo vetëm poezinë, por edhe urtësinë e jetës. Të mësojnë se dija duhet të ecë bashkë me moralin, se feja duhet të sjellë paqe dhe se shqiptaria duhet të ndërtohet mbi respektin e ndërsjellë”, deklaroi ai.
Aktiviteti në Përmet u kthye kështu në një tribunë të fjalës, kulturës dhe identitetit kombëtar, duke rikthyer në vëmendje figurën e pavdekshme të vëllezërve Frashëri dhe rolin e tyre në historinë, kulturën dhe ndërgjegjen shqiptare.


