NGA FATMIR POPJA
Qyteti i Librazhdit përjetoi të shtunën e këtij Shkurti
një nga ditët më të bukura sportive të viteve të fundit, teksa ndeshja Sopoti–Besëlidhja, e zhvilluar në stadiumin e këtij qyteti të në orën 13:00, e ktheu mesditën e fundjavës në një festë të vërtetë . Edhe pse në letër ishte thjesht një ndeshje e radhës e Kategorisë së Dytë, në realitet ajo u përjetua si një finale e madhe kampionati.

Para ndeshjes qyteti i Librazhdit fliste vetëm për Sopotin
Që prej ditës së premte, Librazhdi kishte vetëm një temë bisede ,atë të ndeshjes midis Sopotit dhe Besëlidhjes. Në rrugë, kafene, dyqane e familje, diskutimet silleshin rreth ndeshjes, formës së ekipit dhe mbi të gjitha organizimit të mbështetjes masive të tifozërisë vendase.
Vendimi për ta bërë hyrjen falas në stadium ishte sinjali i qartë se kjo ndeshje do të ishte ndryshe. Dhe ashtu ndodhi. Që në orët e para të mesditës, shkallët e stadiumit nisën të mbusheshin, ndërsa qyteti mori pamjen e një feste sportive plot pozitivitet dhe energji.

Historia që flet, Sopoti , një emër me peshë në futbollin shqiptar
Ekipi i Futbollit Sopoti i Librazhdit, i themeluar në vitin 1948, mbart një histori të pasur me arritje, suksese dhe emra që kanë lënë gjurmë në futbollin shqiptar. Në fundin e shekullit të kaluar, Sopoti ishte pjesë e elitës së futbollit shqiptar, ndërsa ndër vite është drejtuar nga trajnerë të njohur, disa prej tyre me karrierë edhe në Kombëtaren shqiptare.
Në tribunë, për të ndjekur këtë supersfidë, ishin të pranishëm edhe ish-futbollistë të Sopotit nga Elbasani dhe qytete të tjera, si dhe yje të së shkuarës që kanë veshur me krenari fanellën këtij ekipi.

Momente emocionuese para fillimit të ndeshjes Sopoti-Besëlidhja
Pak minuta para startit të ndeshjes, Agron Gega, Administrator i Klubit të Futbollit Sopoti, përcolli një mesazh motivues për futbollistët dhe tifozërinë, duke i ftuar të gjithë të dhuronin spektakël si në fushë ashtu edhe në tribuna.
Në krah të tij ishte edhe Olsi Komici, deputet i Librazhdit dhe ish-futbollist i Sopotit, i cili inkurajoi skuadrën dhe tifozët për të besuar deri në fund, duke theksuar se Sopoti është më shumë se një ekip ,është krenaria e qytetit të Librazhdit.

Gjatë ndeshjes , emocione në fushë ,entuzizëm në tribunën e spektatorëve
Në javën e 13-të të Grupit A në Kategorinë e Dytë, vëmendja e gjithë futbollit ishte përqendruar në këtë duel mes dy pretendenteve për kreun e renditjes. Stadiumi ishte i mbushur me rreth 3 mijë spektatorë, jo vetëm nga Librazhdi, por edhe nga zonat rurale dhe fshatrat më të largëta.Ndeshja nisi me ritëm të lartë, por në minutën e 27-të Sopoti mbeti me 10 lojtarë, pas kartonit të kuq për Troksin, duke e bërë misionin edhe më të vështirë për vendasit. Megjithatë, pavarësisht inferioritetit numerik, Sopoti tregoi karakter dhe shpirt gare.Në minutën e 78-të, sulmuesi Akansase kaloi Besëlidhjen në avantazh, duke heshtur për pak çaste stadiumin. Por reagimi i Sopotit ishte i menjëhershëm dhe i denjë për një ekip pretendent. Në minutën e 85-të, Aminu shënoi golin e barazimit, duke shpërthyer stadiumin në festë dhe emocione të papërshkrueshme.Ndeshja u mbyll në barazim 1–1, rezultat që mban ende gjallë garën, me diferencën mes Besëlidhjes kryesuese dhe Sopotit që mbetet 3 pikë pas tyre.

Pas ndeshjes , krenari , por edhe trishtim pasi pritej fitore e Sopotit

Në përfundim të takimit u regjistruan disa incidente të vogla mes futbollistëve të Besëlidhjes dhe Policisë Bashkiake të Librazhdit, të cilat u evituan menjëherë falë ndërhyrjes së Policisë së Rendit, duke mos lënë pasoja dhe duke ruajtur qetësinë.Tifozëria edhe pse përjetoi emocione të jashtëzakonshme gjatë kësaj ndeshje , u largua nga stadiumi e zhgënjyer pasi ekipi i tyre i zemrës nuk arriti ta fitonte këtë supersfidë për ta patur rrugën drejt suksesit të sigurtë.

Shi, baltë dhe emocione të mëdha
Atmosferës elektrizuese të kësaj supersfide iu shtuan edhe kushtet tepër të vështira të lojës, që e bënë ndeshjen një provë të vërtetë force dhe karakteri. Fusha e stadiumit të Librazhdit, e rënduar nga balta dhe uji, e kishte humbur në shumë momente elasticitetin, duke e bërë qarkullimin e topit të vështirë dhe çdo duel një betejë fizike.Çdo hap i futbollistëve shoqërohej me rrëshqitje, ndërsa vrapimet kërkonin dyfish energjie, duke e lodhur ndjeshëm lojën, por njëkohësisht duke nxjerrë në pah shpirtin luftarak të të dy skuadrave.Ndërkohë, reshjet e dendura të shiut që shoqëruan ndeshjen për pjesën më të madhe të saj e bënë qëndrimin në tribuna gati të pamundur. Megjithatë, pavarësisht motit të keq dhe të ftohtit, rreth 3 mijë tifozë qëndruan stoikë në shkallët e stadiumit, duke mbështetur Sopotin pa u ndalur asnjë çast.Kjo sfidë tregoi se, në Librazhd, futbolli nuk luhet vetëm me këmbë, por edhe me zemër, sakrificë dhe besnikëri, si në fushë ashtu edhe në tribuna.

Një ndeshje që do të mbahet mënd gjatë nga librazhdasit
Sopoti–Besëlidhja nuk ishte thjesht një ndeshje futbolli. Ishte një ditë krenarie për Librazhdin, një dëshmi se futbolli ende bashkon, emocionon dhe frymëzon. Një atmosferë që i ngjante ndeshjeve të elitës së futbollit shqiptar dhe që tregoi se Sopoti vazhdon të jetë një emër me peshë në futbollin shqiptar.
“ULTRA SOPOTI”, forca që mbështet fuqishëm Sopotin
Një kapitull më vete në këtë supersfidë ishte grupi i zjarrtë i tifozërisë librazhdase “ULTRA SOPOTI”, i cili u shfaq më i organizuar se kurrë më parë, duke i dhënë stadiumit pamjen e një feste të madhe futbolli. Me banderola të shpalosura, këngë pa pushim dhe koreografi të koordinuara, “ULTRA SOPOTI” e shtyu ekipin përpara në çdo minutë të ndeshjes.Në momentet më të bukura dhe më emocionuese të takimit, atmosfera u ndez edhe më shumë falë fishekzjarreve, që i shtuan spektakël tribunës dhe ngritën peshë gjithë stadiumin. Ky organizim i veçantë u bë i mundur falë përkushtimit të Frensit, një prej djemve të mrekullueshëm të këtij qyteti, i cili me pasion dhe dashuri për Sopotin kontribuoi në krijimin e një atmosfere që do të mbahet mend gjatë në Librazhd.

“ULTRA SOPOTI” tregoi edhe një herë se Sopoti nuk ka vetëm një skuadër në fushë, por edhe një armatë besnike në tribuna, që nuk e braktis ekipin as në shi, as në baltë, as në momentet më të vështira.

