TIRANË, 29 tetor 2026 /Albania Express News/-Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi sot në Konferencën e Kryetarëve projektligjin “Për buxhetin e vitit 2027”, ku bëri të ditur se 8 500 punonjës të Policisë së Shtetit do të përfitojnë rritje pagash.
Malaj tha se për këtë qëllim janë parashikuar 3.3 miliardë lekë shtesë, ndërsa financimi total për rendin do të arrijë në 36.7 miliardë lekë.
Sipas tij, rritja e pagave do të prekë 8,500 punonjës policie, me shtesa që variojnë nga 10 mijë deri në 20 mijë lekë, në varësi të gradës.
“Siguria dhe rendi mbeten pjesë e rëndësishme e prioriteteve tona. Për këtë qëllim, buxheti parashikon financimin e nevojshëm për këta sektorë, si dhe mbështetje shtesë për punonjësit e Policisë së Shtetit.
Financimi parashikohet si më poshtë: 36.7 miliardë lekë për rendin. 3,3 miliardë lekë shtesë për pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit. Përfitojnë 8,500 punonjës, ku në kategorinë inspektor rritet paga bazë për gradë me 20,000 lekë ( në 93,000 nga 73,000 sot). Shtesa është mbi pagën bazë. Kategoritë e tjera përfitojnë shtesë page 10,000 lekë deri në 15,000 lekë për gradë”, tha ai.
Sipas tij, krahas forcimit të kapaciteteve institucionale, rritja e pagave është pjesë e angazhimit për të mbështetur punonjësit që kontribuojnë çdo ditë në garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

