ELBASAN – Një mural i rrallë zbukuron qytetin, rrëqebulli i Ballkanit sjell mesazhin e mbrojtjes së natyrës

“Nature Lynx Us”, është vepra më e re murale pranë unazës së Elbasanit e cila vë në qendër një nga speciet më të rralla të faunës shqiptare dhe sensibilizon qytetarët për rrezikun e zhdukjes së saj.

ELBASAN, 28 tetor 2026 /Albania Express News/-Një vepër e veçantë murale i ka dhënë një pamje të re një prej rrugëve të qytetit të Elbasanit, duke e kthyer fasadën e një pallati pranë unazës në një mesazh të fuqishëm për mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit.

Në qendër të kësaj vepre artistike është rrëqebulli i Ballkanit, një nga speciet më të rralla dhe më të kërcënuara të faunës sonë, mbijetesa e të cilit lidhet ngushtë me ruajtjen e pyjeve dhe të habitateve natyrore.

Murali është realizuar nga organizata mjedisore PPNEA, në kuadër të Programit për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit, me synimin për ta sjellë këtë specie të rrallë më pranë qytetarëve dhe për të rritur ndërgjegjësimin publik për mbrojtjen e saj.

Një vepër arti që përcjell një mesazh jetik

Me mesazhin “Nature Lynx Us”, murali nuk është thjesht një element artistik që pasuron pamjen e qytetit, por edhe një thirrje për përgjegjësi të përbashkët ndaj natyrës.

Vendosja e tij në një fasadë pranë rrugës nacionale e bën veprën lehtësisht të dallueshme nga kalimtarët dhe udhëtarët, duke zgjeruar ndikimin e mesazhit përtej komunitetit të zonës.

Realizimi i kësaj nisme u bë i mundur falë bashkëpunimit me Bashkinë Elbasan, e cila ndihmoi në identifikimin e një fasade të përshtatshme, si dhe mbështetjes së njësisë administrative përkatëse.

Elbasani, një territor i rëndësishëm për mbijetesën e rrëqebullit

Përtej mesazhit artistik në qytet, kjo nismë sjell në vëmendje edhe rëndësinë e jashtëzakonshme të zonave natyrore të qarkut të Elbasanit për mbijetesën e kësaj specieje.

Nga Bukaniku, Polisi dhe Sopoti, deri në Shebenik, peizazhet malore dhe pyjore të rajonit përbëjnë territore me rëndësi për ruajtjen e biodiversitetit.

Monitorimet me kamera kurth kanë dokumentuar praninë e rrëqebullit të Ballkanit në rajonin Polis–Gur i Zi–Valamarë, si dhe në Parkun Kombëtar Shebenik. Këto të dhëna dëshmojnë rëndësinë e këtyre habitateve dhe nevojën për mbrojtjen e tyre.

Ruajtja e pyjeve, e korridoreve natyrore dhe e lidhjeve ndërmjet habitateve është thelbësore për të siguruar kushtet që kjo specie të vazhdojë të jetojë e të shumohet në natyrë.

Nga ndërgjegjësimi te veprimi konkret

Puna e PPNEA-s për mbrojtjen e rrëqebullit të Ballkanit nuk kufizohet vetëm te ndërgjegjësimi publik. Ajo përfshin edhe monitorimin e specieve përmes kamerave kurth dhe përpjekjet për ruajtjen e habitateve ku kjo kafshë e rrallë vazhdon të mbijetojë.

Murali në Elbasan i shtohet kësaj pune si një formë e dukshme e edukimit mjedisor, duke sjellë në hapësirën urbane një mesazh që lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e natyrës shqiptare.

Rrëqebulli i Ballkanit nuk duhet të mbetet vetëm një figurë e pikturuar në muret e qytetit, por një specie e gjallë në pyjet tona, pjesë e trashëgimisë natyrore që duhet t’u përcillet edhe brezave të ardhshëm.

Ruajtja e tij kërkon angazhimin e institucioneve, organizatave mjedisore dhe çdo qytetari, sepse mbrojtja e natyrës është një përgjegjësi që na përket të gjithëve.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

U plagos me plumb gome në sy gjatë protestës, Erjon Vishkulli kalon me sukses operacionin në Romë

ROMË, 28 tetor 2026 /Albania Express News/-Erjon Vishkulli ka...

Michel Tarran nga Elbasani: Demokracia nuk është vetëm votim çdo katër vjet, OSBE apel për dialog

ELBASAN, 28 tetor 2026 /Albania Express News/-Kreu i Prezencës...

Rëndohet bilanci nga aksidenti i trenave në Spanjë, arrin në 86 numri i viktimave, vijojnë kërkimet për të mbijetuar

TIRANË, 28 tetor 2026 /Albania Express News/-Është rënduar ndjeshëm...

Tragjike në Spanjë/ Dy trena përplasen me njëri-tjetrin, dyshohet për dhjetëra viktima

SPANJË, 28 tetor 2026 /Albania Express News/-Një aksident i...