Nga Jorida Tabaku
Prej disa kohësh kam dashur të shkruaj për një ekip që dikur ishte frymë, emblemë dhe një protestë e zëshme në shkallët e stadiumit kundër diktaturës. Një formë disidence në një vend ku ëndrrat mund të thureshin vetëm në sport, kulturë, ose në heshtje. Dy fjalë pra, për një ekip zemre që dikur mbante gjallë magjinë dhe mrekullinë e shpresës.
Sot shoh Arben, Irisin dhe Drenin të rriten në ato shkallë ku jam rritur edhe unë. Me të njëjtin pasion, të njëjtën ëndërr, të njëjtën dashuri për sportin. Ndoshta edhe më shumë sesa unë vetë. Ata e duan Tironën pa kushte. E duan me atë dashurinë e pastër që vetëm fëmijët dinë ta japin. Ndërsa unë sot nuk shkova në stadium — jo nga frika e një humbjeje, por nga zhgënjimi me mungesën e përkushtimit.
Fatkeqësisht, ajo Tirona që thirrej me shpirt edhe kur regjimi ia ndërronte emrin me dhunë, ajo bardh e blu që mbushte me ëndrra fëmijë e të rritur, po humbet shkëlqimin. Po tretet. Po venitet. Një ekip i lënë vetëm, i harruar. Dhe kjo është e trishtë.
Ndaj, kam vetëm një lutje: shërojeni ekipin.
Për ne që u rritëm me të.
Për fëmijët që ende besojnë tek blu e bardhë.
Për historinë që mban mbi supe.
Ky ekip ka mbijetuar komunizmin, padrejtësitë, vitet e vështira… dhe ka fituar 29 kampionate. Tirona nuk është vetëm klub. Është histori. Është qytet. Është identitet.
Mos e lini të shuhet ajo që na ka mbledhur të gjithëve bashkë kaq breza me radhë.
Forca Tirona!
Edhe kur zemra na dhemb, ajo prapë rreh blu e bardhë.

