Nga Xhoi Jakaj
Në një kohë kur dritat e fundvitit ndezin qytetet dhe festat na tundojnë me tryeza të shtrenjta, vjen një mesazh i thjeshtë, i drejtë dhe i fuqishëm.
Në vend të festës… të ndihmojmë!
Jo nga detyrimi, jo për fotografi, por nga zemra, nga ajo pjesë e pastër që nuk ka nevojë për reklamë.
Autorja e kësaj nisme na kujton një të vërtetë të hidhur.
Shqipëria ka shumë familje të varfra, shumë njerëz të vetmuar, shumë fëmijë me ëndrra që mbeten pezull vetëm pse askush nuk u zgjat dorën. Ndaj ai vetë ka zgjedhur të mos ulet nëpër darka me pagesa të majme apo festa të kota. Fondin e stafit e ka kthyer në pako ushqimore dhe ndihmë për personat në nevojë. Festën e fundvitit do ta kalojnë në një koncert të dedikuar talenteve me aftësi të veçanta ,aty ku gëzimi është i pastër, dhe duartrokitjet vijnë nga zemra.
Ai rrëfen se, ndonëse ka marrë pjesë në evente bamirësie të mëdha, gjithnjë i ka mbetur një pyetje.
Pse bamirësia duhet të jetë e kushtuar vetëm sponsorëve?
Pse kur i kërkon një oligarku ndihmë për t’i blerë një fëmije një piano, një kitarë, një kurs arti apo sporti… ata nuk shfaqen kurrë gati?
Sepse ndihma e vërtetë nuk kërkon fuqi financiare. Kërkon vullnet!
E pikërisht për këtë, ai sjell tre veprime konkrete ,të thjeshta, të realizueshme dhe me ndikim të drejtpërdrejtë tek njerëzit në nevojë.
1. Dhuro ushqime dhe veshje të ngrohta
Blej më pak për veten këtë dhjetor dhe mendo për familjet që nuk kanë as më të domosdoshmen.
Një paketë me:
• miell
• sheqer
• vaj
• makarona
• çorape të ngrohta
• pallto dhe doreza
mund të ndryshojë një ditë, një javë, madje një muaj për dikë.
Një pako e vogël, e bërë bashkë me 2-3 miq, kthehet në ndihmë të madhe!
2. Bashkohu ose organizo një nismë humane
Mund të bësh shumë, edhe me pak:
• mbledhje fondesh për të moshuar;
• aktivitete për fëmijë dhe të rritur me aftësi ndryshe;
• ndarje dhuratash për persona të vetmuar, fëmijë jetimë, të sëmurë në pediatri.
Është më e thjeshtë sesa mendon. Mjafton dëshira.
3. Vizito një person të harruar
Ky është akti më fisnik.
Vizito një plak që jeton vetëm. Një fqinj pa familje. Dikë që ka humbur njeriun e zemrës. Dikë që është në depresion.
Nuk ka dhuratë më të mirë se:
prania, vëmendja, një bisedë e ngrohtë.
Shpesh kjo vlen më shumë se çdo pako ushqimore në botë.
Ndihma nuk ka sezon. Nuk vlen vetëm në dhjetor, mes dritave e dekorimeve.
Vepra e mirë është e pavdekshme.
Ajo jeton më gjatë se ne.
Ky staf e bën këtë mision dy herë në vit.
Mesazhi është i qartë:
Bëjeni edhe ju!
Sepse mirësia e pastër nuk humbet, nuk tretet, nuk harrohet.
Ajo kthehet gjithmonë, në forma që nuk i presim ,por që i ndjejmë thellë.

