Zgjedhjet e përsëritura dhe nevoja për maturi politike në Kosovë

Nga Nertil Jole

Kosova po hyn për herë të tretë brenda vetëm 15 muajve në zgjedhje të përgjithshme parlamentare, një zhvillim që ka rikthyer në qendër të debatit publik jo vetëm stabilitetin politik të vendit, por edhe përgjegjësinë e klasës politike për të garantuar funksionimin normal të institucioneve. Proceset zgjedhore në Kosovë kanë gjithmonë një vëmendje të veçantë nga shqiptarët kudo që jetojnë, pasi lidhen drejtpërdrejt me interesin kombëtar dhe me të ardhmen e shtetit më të ri në Ballkan.

Situata aktuale paraqet dy dimensione të rëndësishme. Nga njëra anë, zgjedhjet e përsëritura dëshmojnë se mekanizmat demokratikë dhe kushtetues në Kosovë funksionojnë dhe se sistemi politik respekton rrugën institucionale për zgjidhjen e krizave. Kjo konsiderohet një arritje për një shtet ende në proces konsolidimi demokratik.

Por nga ana tjetër, përdorimi i vazhdueshëm i hapësirave kushtetuese për të prodhuar procese të shpeshta zgjedhore po reflekton mungesën e bashkëpunimit politik dhe paaftësinë për të ndërtuar konsensus. Klima e tensionuar politike dhe rivaliteti i fortë mes forcave politike po e kthejnë jetën institucionale në funksion të interesave të ngushta të pushtetit, duke cenuar stabilitetin dhe duke ngadalësuar ritmet e zhvillimit të vendit.

Analistët vlerësojnë se kjo situatë ka ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë dhe perspektivën europiane të Kosovës, pasi pasiguria politike dëmton investimet, frenon reformat dhe krijon dyshime tek partnerët ndërkombëtarë për aftësinë e klasës politike për të garantuar vazhdimësi shtetformuese.

Atmosfera politike bëhet edhe më e ndjeshme për shkak të procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së dhe pritjes së vendimit të paralajmëruar për 20 korrik. Çështja mbetet tepër emocionale dhe me ndikim të madh publik në Kosovë dhe në gjithë hapësirën shqiptare, pasi një pjesë e gjerë e opinionit e konsideron procesin të padrejtë dhe të ndërtuar mbi akuza të fabrikuara nga qarqe pro-serbe, me synimin për të deformuar karakterin çlirimtar të luftës së UÇK-së dhe për të relativizuar ndërhyrjen e NATO-s kundër genocidit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Në këtë klimë të ndërlikuar politike, kërkohet maturi dhe përgjegjësi nga të gjitha forcat politike. Barra kryesore për ndërtimin e kompromisit bie mbi forcën e parë politike, por edhe partitë e tjera duhet të tregojnë qasje bashkëpunuese dhe konstruktive, pa vendosur kushte që mund të çojnë vendin drejt një tjetër bllokade institucionale.

Balanca aktuale parlamentare në Kosovë po e bën të domosdoshëm kompromisin politik, ndërsa refuzimi për të pranuar realitetin elektoral rrezikon të thellojë krizën. Pranimi i kompromisit si instrument demokratik do të ishte tregues i një faze më të pjekur politike dhe institucionale për shtetin e Kosovës.

Ndërkohë, fushata elektorale po shoqërohet me polarizim të lartë, me retorikë përçarëse dhe me përplasje të forta në rrjetet sociale, ku shpesh dominon gjuha linçuese dhe protagonizmi politik. Sipas vëzhguesve, patriotizmi i zhurmshëm pa respekt për institucionet dhe shtetin nuk i shërben interesit kombëtar, ndërsa tensioni artificial politik vetëm sa dobëson pozitën e Kosovës në raport me partnerët ndërkombëtarë.

Në fund, përgjegjësia më e madhe mbetet tek qytetarët e Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, të cilët përmes votës së tyre pritet të japin një mesazh për stabilitet, maturi dhe orientim europian. Kosova mbetet një projekt kombëtar dhe demokratik që ka nevojë për institucione të qëndrueshme, zhvillim ekonomik dhe mbështetje të vazhdueshme nga partnerët euro-atlantikë, pa të cilët do të përfitonte padrejtësisht Serbia.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Mariglen Disha: Interes i lartë për “Paketën e Maleve” në Librazhd, 260 aplikime

LIBRAZHD, 22 maj 2026 /Albania Express News/ Kryetari i...

Mbyllet në Fier Turi Çiklistik i Shqipërisë, holandezi Niels Reemeijer shpallet fitues i gjithë kompeticionit

FIER,22 maj 2026/Albania Express News/Turi çiklistik i Shqipërisë 2026,...

Mazniku në Dibër: Reforma territoriale vëmendje specifike nga IBAR, lajm i mirë kalimi në fazën finale të negociatave me BE-në!

DIBËR,22 maj 2026/Albania Express News/Përmendja specifike e reformës territoriale...