Rubrika “Gratë që frymëzojnë”
Intervistoi: Fatmir Popja
Në çdo qytet ka histori që nuk shkruhen vetëm me data e tituj, por me ndikim, ndjeshmëri dhe gjurmë që mbeten në jetën e njerëzve. Elbasani ka një prej tyre. Brixhilda Toska, ose siç e njeh publiku, Xhilda Toska, një grua që ka ditur ta kthejë pasionin për artin, bukurinë dhe elegancën në një mision social dhe kulturor me jehonë mbarëkombëtare.
E lindur në një familje elbasanase ndër breza dhe e rritur nën frymën artistike të gjyshes së saj, Xhilda u formua herët me dashurinë për të bukurën, fjalën e shkruar dhe shprehjen artistike. Poezitë, tregimet dhe vjershat e saj të fëmijërisë ishin shenjat e para të një shpirti krijues që më vonë do të gjente zërin e vet në radio, në skenë, në evente dhe në nisma që fuqizojnë gruan.

Nga mikrofonët e Radio Klea 93.9 MHz, ku që prej vitit 2004 u bë një nga zërat më të dashur për publikun, deri te krijimi i eventeve ikonike si “Miss Lulja e Verës”, “VIP Model Albania”, “Në Retro” dhe kulmimi me “Miss Mama”, Xhilda Toska ka ndërtuar një univers ku bukuria nuk është vetëm pamje, por qëndrim, dinjitet dhe vetëbesim.
Nënë e një vajze 15-vjeçare, Nikitës, bashkëshorte, sipërmarrëse, moderatore, autore, organizatore eventesh dhe humaniste e heshtur, ajo ka dëshmuar se një grua mund të jetë shumë role njëkohësisht, pa hequr dorë nga vetja. Sot, përmes agjencisë “Xhilda Experience – Event, Beauty & Tour”, ajo krijon përvoja që lidhin artin, turizmin dhe fuqizimin e grave, duke sjellë një model të ri suksesi ,atë që ndërtohet me shpirt, punë dhe përgjegjësi sociale.
Në këtë intervistë ekskluzive për “Albania Express News”, në kuadër të rubrikës “Gratë që Frymëzojnë”, Brixhilda (Xhilda) Toska rrëfen rrugëtimin e saj, sfidat, ëndrrat dhe mesazhin që dëshiron t’u lërë grave shqiptare kudo që ndodhen.

Xhilda, si do ta përkufizoje veten sot, artiste, sipërmarrëse apo aktiviste për gratë?
Në të vërtetë, jam një ndërthurje e të trejave. Arti është shpirti im, sipërmarrja është mënyra si e materializoj atë, ndërsa aktivizmi për gratë është arsyeja pse nuk dorëzohem kurrë. Çdo projekt që realizoj ka në thelb gruan ,forcën, bukurinë dhe dinjitetin e saj.
Sa ndikim pati familja, veçanërisht gjyshja juaj, në formimin tuaj?
Gjyshja ime ishte frymëzimi i parë. Ajo më mësoi se eleganca nuk është luks, por mënyrë jetese. Nga ajo mësova të dua artin, estetikën dhe të respektoj veten si grua. Çdo sukses i imi mban edhe bekimin e saj.
Radio Klea ishte një kapitull i rëndësishëm. Çfarë ju dha media në atë fazë të jetës?
Media në përgjithësi dhe Radio Klea né veçanti më mësuan të komunikoj me njerëzit, të dëgjoj dhe të kuptoj. Programet që krijova ishin një pasqyrë e realitetit të përditshëm, sidomos për gratë. Radioja më dha zërin që më vonë do ta përdorja për misione më të mëdha.

“Miss Lulja e Verës” është kthyer në një simbol për Elbasanin. Si lindi kjo ide?
Lindi nga dashuria për qytetin tim dhe nga dëshira për t’i dhënë Elbasanit një event identitar. Doja që vajzat nga të gjitha trojet shqiptare të ndiheshin të mirëpritura dhe të vlerësuara jo vetëm për bukurinë, por për personalitetin dhe kulturën e tyre.
Ndërkaq eventi “Në Retro” solli një risi të guximshme. Çfarë donit të transmetonit?
Doja të riktheja elegancën e viteve ’60–’90 dhe të tregoja se stili nuk ka moshë. Sozitë ishin një lojë artistike, por edhe një homazh për ikonat që kanë formësuar historinë e modës dhe muzikës.
“Miss Mama” u perceptua si një manifest social. Çfarë e bën këtë event kaq të veçantë?
Sepse është i vërtetë. Aty gratë vijnë me historitë e tyre, me plagë dhe fitore. “Miss Mama” nuk zgjedh një fituese, por i fiton të gjitha. Është një thirrje që gruaja të mos ndihet kurrë e padukshme.

“Fundjavë për Zonja” ka prekur shumë gra. Çfarë fshihet pas këtij suksesi?
Dashuria dhe energjia e grave. Filloi si një nismë shpirtërore dhe u rrit falë besimit. Unë besoj fort se urimet e nënave janë forca më e madhe që kam.
Si e balanconi rolin e nënës me jetën profesionale?
Me shumë sakrifica dhe dashuri. Nikita është arsyeja pse dua të jem një shembull i fortë. Dua që ajo të rritet duke besuar se një grua mund të arrijë gjithçka pa humbur ndjeshmërinë.
Humanizmi juaj është i njohur, por gjithmonë i heshtur. Pse?
Sepse ndihma nuk ka nevojë për skenë. Kur ndihmon dikë, e bën për Zotin dhe për ndërgjegjen tënde, jo për duartrokitje.

Pse i kushtoni një vëmendje kaq të veçantë grave të moshës së mesme dhe të moshës së tretë?
Sepse ato janë shtylla e familjes dhe e shoqërisë sonë. Janë gra që kanë dhënë gjithçka për të tjerët dhe shumë pak për veten. Unë dua t’ua rikujtoj se jeta nuk mbaron me një moshë, përkundrazi, aty fillon një kapitull i ri.
Çfarë mungese shihni më shpesh tek këto gra?
Mungesën e vëmendjes dhe të vlerësimit. Shumë prej tyre ndihen të padukshme. Eventet dhe udhëtimet që organizoj janë një formë për t’u thënë: “Ju jeni ende të bukura, të rëndësishme dhe të merituara”.
Si reagojnë gratë e moshës së tretë kur marrin pjesë për herë të parë në aktivitetet tuaja?
Me emocion të jashtëzakonshëm. Shpesh i shoh me lot në sy nga gëzimi. Për shumë prej tyre është hera e parë që udhëtojnë, që vishen për veten, që ndihen të përzgjedhura dhe jo të harruara.

“Fundjavë për Zonja” është kthyer në një terapi shpirtërore. Çfarë e bën kaq të veçantë për gratë e kësaj moshe?
Sepse nuk ka presion, nuk ka konkurrencë, nuk ka gjykim. Ka vetëm shoqëri, të qeshura, natyrë, kujtime dhe ndarje emocionesh. Ato rikthehen më të qeta, më të çliruara dhe me një energji të re.
Cilat janë disa nga destinacionet ku i keni çuar këto gra?
Kemi përshkuar gjithë Shqipërinë, Elbasanin, Beratin, Gjirokastrën, Korçën, Pogradecin, Përmetin ,Shkodrën, Durrësin, Vlorën, Sarandën, Krujën, si edhe zona të mrekullueshme në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe trevat shqiptare kudo ku gjejmë histori, kulturë dhe shpirt.
Çfarë kriteresh përdorni në përzgjedhjen e destinacioneve?
Qetësinë, bukurinë natyrore, historinë dhe sigurinë. Dua që gratë të ndihen të mbrojtura, të respektuara dhe të përkëdhelura nga çdo detaj i udhëtimit.

Sa rëndësi ka për ju fakti që këto udhëtime zhvillohen në trojet shqiptare?
Ka një rëndësi shumë të madhe. Është një mënyrë për t’i lidhur gratë me rrënjët, me historinë dhe me identitetin tonë. Çdo udhëtim është edhe një mësim dashurie për vendin.
Çfarë ndryshimi shihni tek gratë pas këtyre përvojave?
Ato kthehen më të hapura, më të qeshura dhe më të sigurta në vetvete. Shumë prej tyre krijojnë miqësi të reja dhe vazhdojnë të komunikojnë edhe pas përfundimit të udhëtimeve.
A ka histori që ju kanë prekur veçanërisht?
Po, shumë. Kam parë gra që për herë të parë pas vitesh qeshin me zë të lartë, që ndajnë histori jete dhe që ndihen të dëgjuara. Këto janë momente që nuk harrohen.

Çfarë mesazhi doni t’u përcillni grave që mendojnë se “është vonë” për të shijuar jetën?
Nuk është kurrë vonë. Për të udhëtuar, për të qeshur, për të dashur veten. Mosha nuk është pengesë, por pasuri.
Si e shihni rolin tuaj në jetën e këtyre grave?
Si një shoqe, si një bijë, ndonjëherë edhe si një mbështetje morale. Nuk jam thjesht organizatore; jam pjesë e rrugëtimit të tyre.
Nga jashtë, eventet duken magjike. Sa e vështirë është realisht puna pas skenës?
Shumë më e vështirë sesa duket. Pas çdo buzëqeshjeje në skenë ka muaj lodhje, stres, përgjegjësi financiare dhe vendimmarrje të vështira. Ka net pa gjumë, pengesa administrative, mungesë mbështetjeje dhe shpesh edhe paragjykime. Por kur sheh rezultatin dhe ndikimin te njerëzit, çdo sakrificë merr kuptim.

A ka momente kur keni menduar të hiqni dorë?
Po, dhe nuk kam turp ta them. Ka pasur momente rraskapitjeje emocionale dhe fizike. Por gjithmonë ka ardhur një grua, një nënë, një vajzë që më ka thënë: “Falë teje u ndjeva e vlerësuar”. Dhe aty e kuptoj pse nuk duhet të ndalem.
Çfarë kënaqësie personale merrni nga këto evente?
Kënaqësia më e madhe është transformimi. Të shoh një grua që vjen e pasigurt dhe largohet me shpinën drejt, me besim në vete, është shpërblimi im më i madh. Ajo ndjesi nuk blihet me asnjë çmim.
Sa të rëndësishme janë vlerësimet publike dhe mediatike për ju?
Janë të rëndësishme, sepse të japin konfirmim dhe të hapin dyer të reja, por nuk janë arsyeja pse punoj. Vlerësimi më i sinqertë është ai që vjen nga gratë që preken emocionalisht nga projektet e mia.

Eventet tuaja shpesh konsiderohen si risi në Shqipëri. Si i ndërtoni këto ide të reja?
Duke dëgjuar shoqërinë dhe duke mos pasur frikë nga e reja. Unë nuk ndjek modele të gatshme; i krijoj. Risitë lindin kur guxon të dalësh nga kornizat tradicionale.
A keni thyer tabu përmes eventeve tuaja?
Absolutisht. “Miss Mama” ishte një thyerje e fortë tabuje. Ideja që një grua pas martesës apo pas mëmësisë nuk ka më vend në skenë, është një mentalitet që duhet rrëzuar. Gruaja nuk humbet vlerën me kalimin e viteve ,ajo fiton thellësi.
Si kontribuojnë këto evente në emancipimin e gruas shqiptare?
Duke i dhënë zë, hapësirë dhe respekt. Emancipimi nuk është vetëm arsim apo karrierë; është edhe mënyra si e sheh veten dhe si e sheh shoqëria. Eventet e mia i mësojnë gratë të mos ndihen fajtore për dëshirën për të qenë të bukura, të lira dhe të lumtura.

Shpesh përmendet relaksi shpirtëror që përjetojnë gratë në aktivitetet tuaja. Sa i rëndësishëm është ky aspekt?
Është thelbësor. Gratë shqiptare mbajnë mbi supe shumë barrë,familjen, punën, shoqërinë. Eventet e mia janë një frymëmarrje, një hapësirë ku ato ndihen gra, jo vetëm role.
Çfarë mesazhi merr një grua kur largohet nga një event i juaji?
Që nuk është vetëm. Që ka vlerë. Që meriton kohë për veten. Dhe mbi të gjitha, që është e fortë edhe kur ndihet e lodhur.
Çfarë ju bën të ndiheni më krenare në këtë rrugëtim?
Fakti që kam krijuar komunitet. Jo thjesht evente, por lidhje njerëzore. Kam parë miqësi të lindura, vetëbesim të ringjallur dhe gra që sot janë më të sigurta për veten falë asaj që kanë përjetuar.

Si e shihni të ardhmen e eventeve që organizoni?
Më të thella, më të guximshme dhe më sociale. Dua që çdo event të ketë jo vetëm estetikë, por edhe mesazh. Sepse bukuria pa kuptim është e përkohshme, ndërsa ndikimi social është i përjetshëm.
Së shpejti ju riktheheni në ekran. Çfarë mund të presë publiku?
Një program me shpirt, ku arti, bukuria dhe fuqizimi i gruas do të vijnë natyrshëm, pa filtra. Do të jetë një hap tjetër në rrugëtimin tim për të ndarë energji pozitive dhe vizion.
Mesazh i Vitit të Ri 2026 për të gjitha femrat dhe gratë shqiptare…
Në këtë fillim viti të ri, dua t’ju them nga zemra, ju jeni forca e padukshme që mban gjallë familjen, shoqërinë dhe vetë jetën.
Për çdo grua që zgjohet herët me halle e shpresa, për çdo nënë që lutet në heshtje, për çdo vajzë që ëndërron një të ardhme më të ndritur, për çdo zonjë që mendon se koha e saj ka kaluar ,ky vit le të jetë viti i vetes suaj.
Mos kërkoni leje për të qenë të lumtura.
Mos kërkoni falje për ëndrrat tuaja.
Mos e harroni kurrë vlerën që keni, edhe kur bota nuk ua thotë.
Bukuria juaj nuk matet me moshë, por me dritën që shpërndani.
Forca juaj nuk është vetëm durimi, por guximi për të ecur përpara.
Dinjiteti juaj është pasuria më e madhe që nuk duhet ta ulni kurrë.

Uroj që ky vit t’ju gjejë më të bashkuara, më të qeta shpirtërisht, më të dashura me veten.
Uroj që të udhëtoni, të qeshni, të shëroheni nga lodhjet e vjetra dhe të besoni se ju meritoni më shumë.
Ju përqafoj të gjitha, nga vajzat e reja te nënat dhe gjyshet tona fisnike.
Sepse kur një grua ndriçon, ndriçon një familje e një shoqëri e tërë.
Ju uroj Gëzuar Vitin e Ri 2026 , me shëndet të mirë , paqe dhe dashuri për veten!


