Titulli kampion ! Egnatia, Vllaznia dhe AF Elbasani në garë për trofeun dhe mbi 1 milion euro të ardhura

TIRANË,30 maj 2026/Albania Express News/Dy ndeshje kanë mbetur për të mbyllur një nga sezonet më emocionuese të futbollit shqiptar në vitet e fundit. Në mbrëmjen finale të “Final 4”, sytë e gjithë opinionit sportiv do të jenë të përqendruar në aksin Elbasan-Tiranë, ku Egnatia, Vllaznia dhe AF Elbasani do të luftojnë jo vetëm për lavdinë e titullit kampion, por edhe për një “thesar” financiar që kap shifrën e 1 milion eurove.

Në fushë do të vendoset kampioni i Shqipërisë, por pas bilbilit të fundit do të llogariten edhe milionat. Diferenca mes skuadrës që siguron një biletë për në Champions League dhe atyre që do të vazhdojnë rrugëtimin në Conference League është e konsiderueshme, duke e kthyer këtë fundsezon në një betejë me peshë të jashtëzakonshme ekonomike.

Egnatia mbetet skuadra që ka fatin në duart e saj. Rrogozhinasit mjafton të bëjnë detyrën për të ngritur trofeun dhe për të siguruar automatikisht një paketë financiare që i afrohet 1 milion eurove. Vetëm shpërblimi i Federatës Shqiptare të Futbollit për titullin kampion arrin në 100 mijë euro, ndërsa pjesëmarrja në raundin e parë të Champions League garanton edhe 510 mijë euro të tjera.

Por përfitimet nuk ndalen këtu. Edhe në rast eliminimi nga kompeticioni më prestigjioz europian për klube, kampioni i Shqipërisë kalon në raundin e dytë të Conference League, duke përfituar rreth 350 mijë euro shtesë. Në total, vetëm nga pjesëmarrja në kupat europiane dhe bonuset kombëtare, shifra kalon kufirin e 1 milion eurove.

Për Vllazninë, triumfi do të kishte një vlerë edhe më të madhe. Shkodranët, që e mbyllën sezonin e rregullt në vendin e parë, do të përfitonin bonuset më të larta, duke e çuar totalin e të ardhurave në rreth 1 milion e 60 mijë euro. Një shumë që do t’i jepte klubit kuqeblu mundësi të mëdha për të ndërtuar një skuadër edhe më konkurruese në arenën europiane.

Ndërkohë, AF Elbasani vazhdon të ëndërrojë mrekullinë. Verdheblutë, që kanë qenë surpriza më e bukur e këtij sezoni, mund të arkëtojnë afro 1 milion euro në rast se arrijnë të kurorëzohen kampionë. Diferenca me Vllazninë do të ishte vetëm 30 mijë euro, një tregues i qartë i rëndësisë që ka renditja përfundimtare dhe bonuset e sezonit të rregullt.

Edhe skuadrat që nuk do të fitojnë titullin nuk do të largohen duarbosh. Pjesëmarrja në raundin e parë të Conference League garanton rreth 325 mijë euro. Duke shtuar bonuset e sezonit të rregullt, Vllaznia mund të arkëtojë 425 mijë euro, AF Elbasani 395 mijë euro, Egnatia 375 mijë euro dhe Dinamo City 345 mijë euro.

Kështu, finalja e këtij sezoni nuk është vetëm një garë për trofeun më të rëndësishëm të futbollit shqiptar. Është një sfidë që mund të përcaktojë të ardhmen ekonomike të klubeve, investimet për sezonin e ardhshëm dhe ambiciet europiane. Në 90 minutat e fundit do të vendoset jo vetëm kampioni i Shqipërisë, por edhe klubi që do të ketë mundësinë të ndërtojë një projekt milioner për të ardhmen.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

PD mbledh sot Kuvendin Kombëtar, në rendin e ditës zgjedhja e Këshillit Kombëtar dhe ndryshimet statutore. Nis regjistrimi i delegatëve

TIRANË,30 maj 2026/Albania Express News/Partia Demokratike zhvillon sot punimet...

Gjeneralët amerikanë dhe kubanezë takim në bazën e Guantanamos, diskutuan për sigurinë operacionale në rajon

SHBA,30 maj 2026/Albania Express News/Zyrtarë të lartë ushtarakë amerikanë...

Sonte ngrin Europa, PSG mbron fronin, Arsenali kërkon historinë në finalen e çmendur! Gjithçka që duhet te dini…

BUDAPEST,30 maj 2026/Albania Express News/Dita e shumëpritur më në...