SLLOVENI ,28 korrik 2026/Albania Express News/-Egnatia i dha fund aventurës në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve pas një përballjeje dramatike ndaj Çeljes në Slloveni, që u vendos vetëm pas goditjeve të penalltive. Kampionët e Shqipërisë u eliminuan pasi Bitri dhe Ndreca gabuan nga pika e bardhë, ndërsa vendasit u treguan më të saktë dhe siguruan kualifikimin.
Rrogozhinasit zhvilluan një ndeshje të luftuar dhe kaluan të parët në avantazh në minutën e 21-të falë autogolit të Hrkës. Çelje barazoi në minutën e 34-t me Kvesiç, duke bërë që koha e rregullt të mbyllej në barazim 1-1, pas rezultatit 3-3 të sfidës së parë.
Në shtesa, vendasit kaluan në avantazh me një penallti të realizuar nga Kvesiç në minutën e 97-të, pas një ndërhyrjeje të Bitrit. Kur gjithçka dukej e mbyllur, Egnatia reagoi në minutën e 114-të me një supergol të Smajlit, duke rikthyer shpresat dhe çuar sfidën te penalltitë.
Nga pika e bardhë, fati nuk ishte në anën e kampionëve shqiptarë. Bitri gaboi në tentativën e parë, ndërsa Ndreca nuk arriti të shënonte në goditjen vendimtare. Çelje realizoi tre penalltitë e saj dhe siguroi kualifikimin, ndërsa Egnatia u detyrua t’i japë lamtumirën Ligës së Kampionëve.
Pavarësisht eliminimit, skuadra e Nevil Dedes zhvilloi një paraqitje dinjitoze në dy ndeshjet përballë kampionëve sllovenë dhe tani do të vazhdojë rrugëtimin europian në UEFA Conference League, ku do të kërkojë të mbajë gjallë ëndrrën për një tjetër sukses ndërkombëtar.


