Bujqësia përfiton 18 miliardë lekë në vitin 2027, dyfishohet fondi për rimbursimin e TVSH-së për fermerët
Rritje me 10% e buxhetit për bujqësinë krahasuar me vitin 2026. Rreth 8.4 miliardë lekë për zhvillimin rural, 3 miliardë për sigurinë ushqimore dhe 727 milionë lekë për peshkimin. Qeveria parashikon zgjerimin e skemave të mbështetjes dhe nxitjen e investimeve në prodhimin vendas.
TIRANË , 18 nëntor 2026/Albania Express News/-Bujqësia shqiptare pritet të përfitojë një mbështetje financiare prej 18 miliardë lekësh gjatë vitit 2027. Kjo është shifra e parashikuar në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, i cili synon forcimin e sektorit bujqësor, mbështetjen e fermerëve, zhvillimin e zonave rurale dhe rritjen e sigurisë ushqimore.
Gjatë prezantimit të projektbuxhetit në Kuvend, u bë e ditur se fondi për bujqësinë është 10% më i lartë krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2026. Mbështetja financiare do të shoqërohet edhe me paketën fiskale dhe një sërë masash që synojnë uljen e kostove të prodhimit dhe krijimin e kushteve më të favorshme për investime.
Strategjia e mbështetjes për vitin 2027 do të përqendrohet në katër drejtime kryesore: zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe zonave rurale, sigurinë ushqimore, zhvillimin e peshkimit dhe ekonomisë blu, si dhe forcimin e institucioneve, inovacionit dhe digjitalizimit.
8.4 miliardë lekë për zhvillimin rural dhe mbështetjen e fermerëve
Programi i Zhvillimit Rural përbën shtyllën kryesore të projektbuxhetit të bujqësisë. Për këtë program janë parashikuar rreth 8.4 miliardë lekë, nga 7.7 miliardë lekë që ishin në buxhetin fillestar të vitit 2026. Ky financim përfaqëson afërsisht 47% të buxhetit të ministrisë.
Fondet do të përdoren për mbështetjen e fermerëve, investimet në ferma dhe përgatitjen e sektorit për zbatimin e Politikës së Përbashkët Bujqësore të Bashkimit Evropian.
Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet Skemës Kombëtare të Mbështetjes. Për vitin 2027 parashikohet një shtesë prej 120 milionë lekësh në këtë drejtim, nga të cilat 100 milionë lekë do të shkojnë drejtpërdrejt për Skemën Kombëtare.
Synimi është zgjerimi i pagesave direkte për fermerët dhe kalimi gradual nga një model i fragmentuar mbështetjeje drejt një sistemi që shpërblen prodhimin, nxit bashkëpunimin mes fermerëve dhe konsolidimin e fermave.
3 miliardë lekë për sigurinë ushqimore
Siguria ushqimore është një tjetër prioritet i projektbuxhetit 2027. Për këtë program janë parashikuar rreth 3 miliardë lekë, me një rritje prej 87.3 milionë lekësh krahasuar me vitin 2026.
Nga ky fond, 371 milionë lekë janë parashikuar për investime, ndërsa 694.1 milionë lekë do të përdoren për shpenzime operative dhe funksionimin e institucioneve përgjegjëse.
Këto fonde do të mbështesin kontrollet zyrtare, programet e survejancës veterinare dhe fitosanitare, si dhe funksionimin e laboratorëve zyrtarë.
Paralelisht, projekti EU4FoodSafety, me një financim prej 13.5 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, do të kontribuojë në modernizimin e sistemit të kontrolleve ushqimore, inspektimet mbi bazën e riskut, përmirësimin e kapaciteteve laboratorike dhe kontrollin kufitar.
Një tjetër objektiv është përgatitja e operatorëve ushqimorë shqiptarë për përmbushjen e standardeve evropiane.
Rritje e financimit për peshkimin dhe ekonominë blu
Peshkimi dhe akuakultura konsiderohen sektorë me potencial për rritjen e prodhimit vendas dhe zgjerimin e eksporteve.
Për programin e mbështetjes së peshkimit janë parashikuar 727 milionë lekë, ose 25% më shumë se në vitin 2026.
Objektivat e përcaktuara synojnë rritjen graduale të prodhimit të produkteve të peshkimit me 10–20% dhe zgjerimin e eksporteve me 15–20% deri në vitin 2028.
Investime në ujitje, këshillim dhe menaxhim të tokës bujqësore
Projektbuxheti përfshin gjithashtu financime për menaxhimin e infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes, një element i rëndësishëm për përmirësimin e kushteve të prodhimit dhe përballimin e sfidave klimatike.
Për programin e Këshillimit dhe Informacionit Bujqësor janë parashikuar 872 milionë lekë. Ky program synon që politikat dhe skemat e mbështetjes të mos mbeten vetëm në nivel institucional, por të shkojnë drejtpërdrejt te fermerët, përmes informimit dhe asistencës teknike.
Ndërkohë, projektbuxheti parashikon financime edhe për Menaxhimin e Qëndrueshëm të Tokës Bujqësore, si dhe rreth 663 milionë lekë për programin e Planifikimit, Menaxhimit dhe Administrimit, me qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale.
Dyfishohet fondi për rimbursimin e TVSH-së për fermerët
Një nga masat e rëndësishme të paralajmëruara për vitin 2027 është edhe vijimi i mbështetjes për fermerët përmes rimbursimit të TVSH-së në masën 10% për çdo faturë.
Sipas prezantimit të projektbuxhetit, fondi në dispozicion për këtë mekanizëm do të dyfishohet gjatë vitit të ardhshëm.
Kjo masë synon të lehtësojë kostot e fermerëve, të nxisë formalizimin e aktivitetit ekonomik dhe të krijojë më shumë mundësi për investime në sektorin bujqësor.
Projektbuxheti 2027 synon të ndërtojë një model më të strukturuar të mbështetjes së bujqësisë shqiptare, duke kombinuar financimin publik, lehtësitë fiskale, investimet në infrastrukturë dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian.
Miratimi i tij në Kuvend do të përcaktojë kuadrin financiar për zbatimin e këtyre politikave gjatë vitit të ardhshëm.

