Spitali i ri i Kardiokirurgjisë, Rama: Nuk duhet të kemi më kufizim në buxhetin e QSUT-së për sa i përket kompletimit të nevojave

TIRANË ,01 tetor 2026 /Albania Express News/-Gjatë inspektimit të ambienteve të reja në QSUT, Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, u njohën nga afër me kapacitetet dhe organizimin e shërbimeve të Kardiokirurgjisë, si dhe me ndërhyrjet e kryera në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës spitalore.

Një tjetër përmirësim i shërbimeve në strukturën e re është krijimi i një dhomë të dedikuar për kryerjen e procedurave sterile, duke shmangur nevojën për realizimin e tyre në reanimacion.
Një tjetër element i planit për zhvillimin e QSUT-së lidhet me autonominë financiare e cila hyn në fuqi vitin e ardhshëm.

Gjatë vizitës në Kardiokirurgji, Ministrja e Shëndetësisë Klodiana Spahiu dhe Kryeministri, vlerësuan kontributin e profesionistëve që kanë shërbyer ndër vite në këto struktura dhe i dorëzuan certifikata mirënjohjeje profesorëve dhe mjekëve Edmond Kapedani, Aurora Knuti, Efrosina Kajo, Arben Baboçi, Ajli Alushani dhe Ali Refatllari.
“Falënderimi është shumë i madh për të gjithë profesorët që kanë kontribuar dhe që për fat janë këtu me ne sot. Do bëjmë më të mirën në të gjithë shërbimet, por gjithsesi unë do doja një bashkëpunim të ngushtë të drejtoreshës me gjithë shefat e shërbimeve. Duhet të vlerësojmë njerëzit që kanë dhënë kontributin ndër vite në këto shërbime dhe unë kam kënaqësinë dhe nderin që t’ju jap ju certifikatën e mirënjohjes për profesor doktor Edmond Kapedanin, doktoreshë Aurora Knutin, profesor doktoreshë Efrosina Kajo, profesor doktor Arben Baboçi. profesor doktor Ajli Alushani, profesor doktor Ali Refatllari, të gjithë janë profesorët e mi”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu.
Kryeministri, nga ana e tij tha: “E vërteta është që investimet në QSUT në tërësinë e tyre janë kryer dhe ajo që është e qartë nga ana ime është që nuk duhet të kemi më kufizim në buxhetin e QSUT-së për sa i përket kompletimit të nevojave dhe do duhet t’i adresojmë të gjitha me buxhetin e vitit 2027. Kjo është ambicia. E dyta që diskutuam edhe më parë është që me përfundimin e parkimit të madh me 1400 vende në hyrje, përfundimisht ne i heqim të gjitha makinat nga territori i spitalit. Aty me sa unë kuptova janë 900 makina të personelit dhe mbeten edhe 500 vende të tjera që janë të ardhura dytësore për spitalin.
Ndërkohë që gjithë territorin e spitalit do ta kthejmë në një park shumë të bukur për të cilin do punojmë tani edhe të cilin besoj do ta realizojmë në harkun e dy vjetëve. Kjo është e rëndësishme dhe e treta jemi duke vazhduar të diskutojmë për partneritetin e spitalit me një strukturë tjetër shumë të njohur. Kemi disa opsione, por diskutimet vazhdojnë dhe besoj që shumë shpejt do arrijmë të ndërtojmë këtë partneritet i cili do konsistojë në një menaxhim të spitalit dhe në një ndërveprim të spitalit me strukturën partnere ku mjekët do jenë në një program bashkëpunimi.
Mjekët e spitalit tonë do shkojnë atje. Mjekët e spitalit atje do vijnë këtu. Pra jo thjesht vizita pune, por një strukturë që administrohet me standardet e ekselencës edhe që do të na do të na japi shumë dorë pastaj për të pasur qartësi edhe për autonominë financiare që hyn në fuqi vitin e ardhshëm. Pjesë e këtij plani është edhe ndërtimi i një strukture private brenda spitalit, e cila do të jetë një strukturë ku ju të punoni paralelisht dhe që të sjellë dhe një rritje të domethënëse dhe të të ardhurave tuaja. Ky është plani. Jemi në negociata. Ministrja po bën diskutimet. Kemi goxha arsye të jemi optimistë”.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME