LIBRAZHD , 22 nëntor 2026/Albania Express News/-Një zhvillim i papritur te Sopoti i Librazhdit. Trajneri Rraman Hallaçi ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës që militon në Kategorinë e Parë, duke i dhënë fund bashkëpunimit me klubin pas humbjes 0-2 në shtëpi ndaj Korabit të Peshkopisë.
Rraman Hallaçi largohet nga Sopoti, trajneri njofton vendimin: Falënderon drejtuesit dhe tifozët
Lajmi është bërë publik nga vetë tekniku përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka konfirmuar vendimin për të ndërprerë bashkëpunimin me klubin librazhdas.
Në mesazhin e tij të lamtumirës, Hallaçi ka shprehur mirënjohjen për kryetarin e Bashkisë së Librazhdit, Mariglen Disha, si dhe për drejtuesit dhe personat që kanë qenë pjesë e bashkëpunimit gjatë periudhës së tij në krye të Sopotit.
Një falënderim të veçantë trajneri u ka rezervuar tifozëve të Sopotit, të cilët i ka cilësuar si një pjesë të rëndësishme të jetës së tij.
Në përfundim të mesazhit, Hallaçi ka përcjellë edhe një urim për vazhdimësinë e skuadrës, duke shkruar: “Suksese kapitenit dhe gjithë skuadrës në vazhdim!”
Largimi i Hallaçit vjen në një moment jo të lehtë për Sopotit, pas disfatës së fundit në Librazhd përballë Korabit. Tashmë mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i drejtuesve të klubit për pasuesin e tij në pankinë dhe si do të ndikojë ky ndryshim në ecurinë e skuadrës në kampionat.
Një kapitull mbyllet te Sopoti, ndërsa skuadra e Librazhdit duhet të gjejë sa më shpejt stabilitetin për të vijuar objektivat e sezonit.

