“Askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës”/ Dënimi i liderëve të UÇK-së, Von der Leyen: Viti 1999 është i skalitur në memorien tuaj kolektive

TIRANË ,01 tetor 2026 /Albania Express News/-Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës në Kosovë ka përcjellë një mesazh mbështetjeje për vendin dhe perspektivën e tij evropiane, duke u ndalur edhe te historia e luftës së vitit 1999 dhe zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Von der Leyen tha se viti 1999 mbetet pjesë e pandashme e kujtesës së qytetarëve të Kosovës, duke përmendur represionin, krizën humanitare dhe vuajtjet e popullsisë.
“Asgjë dhe askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës. Viti 1999 është i skalitur në memorien tuaj kolektive”, u shpreh ajo, duke shtuar se Bashkimi Evropian ka qenë pranë Kosovës që prej asaj periudhe.

Presidentja e Komisionit Evropian vlerësoi gjithashtu marrëdhëniet mes Kosovës dhe BE-së, duke theksuar mbështetjen evropiane për rindërtimin, zhvillimin ekonomik, reformat dhe forcimin e institucioneve.
“Kosovën e kemi partner të fuqishëm. Kemi mbështetur rindërtimin, zhvillimin ekonomik, reformat dhe themelimin e institucioneve demokratike. E ardhmja e Kosovës është në BE”, deklaroi Von der Leyen.
Gjatë fjalës së saj, Von der Leyen u ndal edhe te aktgjykimi i Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se vendimi ka shkaktuar reagime dhe emocione të forta në Kosovë.
Ajo vlerësoi thirrjet për qetësi nga qytetarët dhe liderët politikë, ndërsa theksoi se vendimi është marrë nga një institucion i pavarur gjyqësor.
“Aktgjykimi i Gjykatës Speciale ka shkaktuar emocione të fuqishme dhe çmoj reagimin tuaj të matur dhe të liderëve politikë që thërrasin për qetësi”, tha ajo.
Sipas Von der Leyen, mandati i gjykatës duhet të respektohet, ndërsa të akuzuarit dhe mbrojtja e tyre kanë të drejtën për të ndjekur të gjitha procedurat ligjore, përfshirë të drejtën e apelit.
“Vendimi është dhënë nga një institucion i pavarur gjyqësor dhe mandati i tij duhet të respektohet. Mbrojtja ka të drejtë të apelojë”, u shpreh presidentja e Komisionit Evropian.
Në vijim, Von der Leyen bëri një ndarje mes përgjegjësisë individuale të personave të gjykuar dhe historisë së luftës në Kosovë.
“Një gjë është e qartë: ky aktgjykim ka të bëjë me përgjegjësi individuale të personave të pandehur. Rezistenca e Kosovës nuk ka qenë në gjykim dhe duhet ta respektojmë kujtesën për të gjitha viktimat, nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, deklaroi ajo.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME