Ndahet nga jeta ish-Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, mesazhi prekës i Shkëlqim Hajdarit për Alush Dragoshin: Drejtësia shqiptare humbi një shërbestar me integritet të lartë

TIRANË , 23 nëntor 2026/Albania Express News/-Është ndarë nga jeta Alush Dragoshi, ish-Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë gjatë viteve 1992-1997.

Lajmin e ka bërë të ditur Shkëlqim Hajdari, i cili përmes një reagimi në rrjetet sociale ka shprehur dhimbjen për humbjen e mikut të tij, duke e cilësuar Dragoshin si një personalitet të respektuar të drejtësisë shqiptare dhe një njeri me vlera të rralla njerëzore e profesionale.
Në mesazhin e tij, Hajdari kujton njohjen me Dragoshin në vitin 1993, kur ishte emëruar shef i Policisë Hetimore në Komisariatin nr. 4 në Tiranë. Sipas tij, që nga ajo kohë, ish-Prokurori i Përgjithshëm u bë një nga mbështetësit më të rëndësishëm të rrugëtimit të tij profesional dhe, më pas, një mik i afërt.

Hajdari e përshkruan Dragoshin si një burrë fisnik nga Kukësi, të drejtë, të ndershëm dhe me integritet të lartë moral e profesional.
“Alush Dragoshi ishte nga ata burra që rrallë i ndesh në jetë. Një burrë fisnik nga Kukësi, i drejtë, i ndershëm, me integritet të lartë moral e profesional. Një njeri që dinjitetin nuk e kishte thjesht virtyt, por mënyrë jetese”, shkruan ai.
Një pjesë të reagimit, Hajdari ia kushton takimit të fundit me mikun e tij në spital, ku e kishte vizituar së bashku me bashkëshorten. Ai tregon se, pavarësisht sëmundjes së rëndë me të cilën po përballej prej disa muajsh, Dragoshi kishte ruajtur qetësinë dhe fisnikërinë e tij.
Hajdari kujton edhe përqafimin e fundit, duke treguar se ishte larguar nga takimi me bindjen se mund të ishte hera e fundit që do ta shihte mikun e tij, megjithëse ende shpresonte për shërimin e tij.
“Sot, me largimin e tij, drejtësia shqiptare humbi një shërbestar me integritet të lartë, familja një njeri të shtrenjtë, ndërsa unë humba një mik të madh, një mbështetës të sinqertë dhe një njeri që do ta mbaj përherë në kujtesën dhe mirënjohjen time”, shprehet Hajdari.
Në fund të mesazhit të tij, ai i përcjell ngushëllimet familjes, fëmijëve dhe të afërmve të Dragoshit, duke e mbyllur reagimin me fjalët: “Lamtumirë, miku im i shtrenjtë! Zoti ta mëshiroftë shpirtin dhe të dhëntë paqen e përjetshme!”
Reagimi i plotë:
LAMTUMIRË, MIKU IM I SHTRENJTË, ALUSH DRAGOSHI!
Ish Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë( 1992-1997)🇦🇱!
Me dhimbje të thellë dhe trishtim të madh mora lajmin e ndarjes nga jeta të Alush Dragoshit, ish-Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë ( 1992- 1997),një personaliteti të respektuar të drejtësisë shqiptare dhe, mbi të gjitha, një miku të rrallë e të pazëvendësueshëm për mua e shumë prokurore, gjygjtare e punonjës të drejtesisë, në shqipëri.
Me Alushin u njoha në vitin 1993, kur u emërova shef i Policisë Hetimore në Komisariatin nr. 4 në Tiranë. Që nga ajo kohë, ai u bë një nga mbështetësit më të çmuar të rrugëtimit tim profesional dhe, me kalimin e viteve, një mik i ngushtë, që më dhuroi respekt, besim dhe dashamirësi të sinqertë, pa asnjë interes.
Alush Dragoshi ishte nga ata burra që rrallë i ndesh në jetë. Një burrë fisnik nga Kukësi, i drejtë, i ndershëm, me integritet të lartë moral e profesional. Një njeri që dinjitetin nuk e kishte thjesht virtyt, por mënyrë jetese. Besimi në Zot, mirësia dhe respekti për njerëzit ishin pjesë e pandashme e shpirtit të tij.
Nuk do ta harroj kurrë takimin tim të fundit, në spital. U pergatita shpirterisht, mora me vete dhe gruan, sepse e dija gjendjen e tij që nga fillimi i sëmundjes para disa muajve dhe isha gjithë kohën në dijeni të ecurisë.Edhe pse përballej me një sëmundje të rëndë, ai ruante qetësinë, forcën dhe fisnikërinë që e karakterizuan gjithë jetën. Folem, une e bashkeshortja ime me Alushin, në prani të vajzes se ti,-Arjanes dhe nuses se njerit prej djemve. Pas kësaj bisede u përqafuam gjatë dhe, kur u ndamë, mezi i mbajta lotët. Isha i bindur se ky mund te ishte takimi im i fundit me këtë njeri e mik të rrallë.Por në zemër, ruaja shpresën se Zoti do ta ndihmonte ta fitonte këtë betejë. Por jo, Zoti na i kishte dhënë shenjat familjes dhe ne miqve që ndiqnim ecurinë e sëmundjes së tij, se shpejt do ta merrte pranë…..!
Sot, me largimin e tij, drejtësia shqiptare humbi një shërbestar me integritet të lartë, familja një njeri të shtrenjtë, ndërsa unë humba një mik të madh, një mbështetës të sinqertë dhe një njeri që do ta mbaj përherë në kujtesën dhe mirënjohjen time.
Ka njerëz që largohen nga kjo jetë, por nuk largohen kurrë nga zemrat tona. Alushi ishte njëri prej tyre.
Ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së tij të nderuar, fëmijëve dhe të gjithë njerëzve të dashur!
Lamtumirë, miku im i shtrenjtë!
Zoti ta mëshiroftë shpirtin dhe të dhëntë paqen e përjetshme!
Do të të kujtoj gjithmonë me respekt, mall dhe mirënjohje!
Ulliri në foto, qoftë deshmitar në ditën kur të dalim para Zotit, i miqësisë e vëllazërisë tonë të sinqertë

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME