Sarandë, goditet rrjeti i dyshuar i shpërndarjes së drogës, 20 të arrestuar në operacionin “Vjeshta”

SARANDË, 6 shtator 2026/Albania Express News/- Një operacion i gjerë policor kundër veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje është finalizuar në Sarandë, pas një hetimi dy-mujor të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Prokurorinë.

Operacioni, i koduar “Vjeshta”, ka çuar në kapjen dhe ndalimin e 20 personave, ndaj të cilëve Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.

Në kuadër të aksionit, policia ka sekuestruar 2 armë zjarri pistoletë, sasi kokaine dhe kanabisi të ndara në dhjetëra doza, të dyshuara se ishin për shitje, 4 automjete, 19 aparate celulare, si dhe një shumë parash në lekë dhe euro.

Armët e zjarrit u gjetën gjatë kontrolleve të ushtruara ndaj shtetasve D. S. dhe Sh. B. Ato janë sekuestruar si prova materiale dhe do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme në Institutin e Policisë Shkencore.

Në kuadër të të njëjtit procedim penal, më 31 korrik 2026, policia kishte arrestuar në flagrancë edhe tre persona, ndërsa kishte sekuestruar rreth 5 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kanabis.

Sipas hetimeve, personat e përfshirë dyshohet se ushtronin aktivitetin e shitjes së lëndëve narkotike në zonën e Sarandës, përfshirë zonat e plazheve, lokalet e natës dhe ambientet pranë shkollave. Hetuesit dyshojnë se një pjesë e lëndës narkotike synohej të shpërndahej në Sarandë dhe Ksamil.

Gjatë operacionit u procedua në gjendje të lirë edhe shtetasi E. N., 36 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se kundërshtoi shërbimet e Policisë për të mos lejuar kontrollin në një prej dhomave të hotelit ku u kap njëri prej personave të arrestuar dhe u gjet një armë zjarri.

Operacioni u zhvillua nga strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësitë Fier dhe Tiranë, si dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Elbasan dhe Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë Sarandë.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale, përcaktimin e përgjegjësive individuale dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në aktivitetin e dyshuar kriminal.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë Sarandë për veprime të mëtejshme.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Mbi 6 mijë ullinj shekullorë të djegur, Himara nis evidentimin e dëmeve pas zjarrit

HIMARË, 07 shtator 2026 /Albania Express News/ – Himara...

Spanja ngre alarmin, kryeministri Sanchez: Kërcënimi ekstremist po fiton terren në Evropë dhe në botë

SPANJË ,07 shtator 2026 /Albania Express News/-Kryeministri socialist i...