HIMARË, 07 shtator 2026 /Albania Express News/ – Himara e ka kaluar tashmë situatën e vështirë të krijuar nga zjarri që shpërtheu mbrëmjen e së premtes, rreth orës 20:00, në kodrat përreth qytetit.
Flakët, të favorizuara nga erërat e forta dhe temperaturat e larta, u përhapën me shpejtësi, duke vënë në rrezik banesa, struktura akomoduese dhe sipërfaqe të konsiderueshme me ullinj.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe përmasave të zjarrit, strukturat zjarrfikëse të Himarës kërkuan mbështetjen e forcave nga bashki të tjera të vendit. Në operacionin për shuarjen dhe vënien nën kontroll të flakëve u angazhuan rreth 300 forca, përfshirë shërbimet zjarrfikëse dhe efektivë të Forcave të Armatosura.
Sipas burimeve nga Bashkia Himarë, dëmet e shkaktuara nga zjarri janë të konsiderueshme. Deri tani raportohet se janë përfshirë nga flakët më shumë se 6 mijë rrënjë ullinj shekullorë, ndërsa janë dëmtuar edhe gjashtë banesa, tre prej të cilave kanë qenë të braktisura.
Pas shuarjes së zjarrit, vëmendja është përqendruar te evidentimi dhe vlerësimi i dëmeve. Sipas burimeve nga Bashkia Himarë, me urdhër të kryetarit të bashkisë, Vangjel Tavo, po vijon puna për evidentimin e plotë të çdo dëmtimi të shkaktuar nga zjarri, proces i cili pritet të përfundojë deri të premten.
Nga verifikimet paraprake rezulton se dëmet janë përqendruar kryesisht te drurët e ullirit, ndërsa janë prekur në një masë më të vogël edhe drurë të tjerë frutorë. Dëme janë konstatuar gjithashtu në disa banesa.
Një tjetër pasojë e zjarrit është edhe shkatërrimi i 40 koshereve me bletë, në pronësi të një qytetari të zonës.
Ullinjtë e përfshirë nga zjarri kanë qenë kryesisht pemë të vjetra, pjesë e një prej pasurive karakteristike të territorit të Himarës. Për këtë arsye, pas përfundimit të fazës së evidentimit të dëmeve, pritet të nisë edhe zëvendësimi gradual i drurëve të djegur me fidanë të rinj.
Qëllimi është rikuperimi i sipërfaqeve të dëmtuara dhe ruajtja e asaj që në Himarë konsiderohet si “kurora e ullinjve”, një element i rëndësishëm i peizazhit, traditës dhe identitetit të zonës.
Ndërkohë, strukturat vendore vijojnë monitorimin e territorit për të shmangur çdo riaktivizim të vatrave të zjarrit, ndërsa procesi i evidentimit do të përcaktojë më qartë përmasat përfundimtare të dëmeve.

