Nga Aleksandër Çipa/Kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Samiti i 52-të i G7, i mbledhur në mesin e qershorit në Evian-les-Bians, nën presidencën e Francës/Foto nga VCG
Samiti i 52-të i G7, i mbledhur në mesin e këtij muaji në Evian-les-Bians, nën presidencën e Francës, u parapri nga nisma e presidentit francez Emmanuel Macron: “Global Convergence for ”Growth”.
Pranësia kohore e këtyre dy veprimtarive politike dhe diplomatike me rëndësi globale, ndër të tjerash, përfshiu spikatjen e prezencës kineze, ndonëse Kina nuk është anëtare e G7. Fuqia e dytë botërore, pavarësisht nga statusi formal i pjesëmarrjes në samit, u bë një kontributore e dorës së parë në diskutimet paraprake dhe në rendin ekonomik e gjeopolitik të samitit. Pjesëmarrja e përfaqësuesve të lartë kinezë; zv/kryeministri Zhang Guoqing, bëri të mundur të zgjerohej diskutimi për favorizimin e një ekonomie ndërkombëtare të hapur dhe fuqizim të koordinimit global për sfidat e mëdha ekonomike. Kjo përkoi edhe më faktin që organizatori i nismës presidenti francez, e ngriti si prioritet kryesor trajtimin e çekuilibrave ekonomikë ndërkombëtarë.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kryeson një takim videokonference të quajtur “Samiti Global i Konvergjencës për Rritje” me zyrtarë dhe krerë shtetesh nga Kina dhe shtetet anëtare të G7, në Pallatin Presidencial Elysee në Paris, të enjten, më 11 qershor 2026./Foto nga VCG
Deklarata përfundimtare e samitit të fundit të G7, si mishërim i dakordësisë së udhëheqësve të vendeve pjesëmarrëse, e përshëndetën pjesëmarrjen e Kinës në diskutimet paraprake dhe vlerësuan peshën përcaktuese të bashkëpunimit me ekonomitë e mëdha për të adresuar sfidat e tregtisë, investimeve dhe stabilitetit financiar ndërkombëtar.
Pala kineze, këtë pjesëmarrje dhe përfshirjen në konsultime, e konsideron një mundësi për të promovuar multilateralizmin, zhvillimin e përbashkët dhe ruajtjen e zinxhirëve globalë të furnizimit.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kryeson një takim videokonference të quajtur “Samiti Global i Konvergjencës për Rritje” me zyrtarë dhe krerë shtetesh nga Kina dhe shtetet anëtare të G7, në Pallatin Presidencial Elysee në Paris, të enjten, më 11 qershor 2026./Foto nga Ambasada e Francës në Kinë
Në të njëjtën kohë, çështje të lidhura me tregtinë, mineralet kritike, sigurinë ekonomike dhe rajonin Indo-Paqësor që u bënë hise substanciale e agjendës së G7, e vendosën Kinën në krye të kontributorëve si diskutantë, duke dëshmuar rolin e saj përcaktues në politikën dhe ekonominë botërore të shekullit XXI.
Samitet e G7 përbëjnë ngjarje nga më të rëndësishmet në skenën gjeopolitike në botë. Ky rol përcaktohet prej faktit që tubohen udhëheqësit e ekonomive më të zhvilluara perëndimore për të diskutuar çështjet kryesore të sigurisë, ekonomisë, klimës dhe rendit ndërkombëtar. Ky samit në Francë, u zhvillua në një kohë kur sistemi ndërkombëtar është në krizë dhe po përballet me sfida të shumta.
Bota, nëpër pika të ndryshme të saj, karakterizohet nga përfshirje në konflikte rajonale. Situata e rivalitetit strategjik mes fuqive të mëdha, tranzicioni energjetik dhe pasiguritë ekonomike globale janë arsyet kruciale pse këto sfida kanë tehun më të mprehtë kundër garancisë dhe stabilitetit botëror.
Porti Qingdao i Kinës verilindore/Foto nga VCG
Në këtë kontekst, roli i Kinës është bërë më specifik dhe potencialisht edhe më i rëndësishëm. Pozita si ekonomia e dytë më e madhe në botë dhe të qenit aktor kyç në tregtinë ndërkombëtare, si dhe fakti që kjo fuqi ka kapacitete të konsiderueshme për të kontribuar në adresimin e sfidave globale, duke përfshirë ndryshimet klimatike, sigurinë ushqimore, zhvillimin teknologjik dhe stabilitetin e zinxhirëve të furnizimit,janë arsyet imponuese që në samite të tilla të imponohet si protagoniste dhe jo thjesht si e pranishme. Asnjë zgjidhje afatgjatë për këto çështje nuk mund të jetë plotësisht efektive pa pjesëmarrjen aktive të kësaj fuqie.
Ndonëse relacionet midis Kinës dhe vendeve perëndimore karakterizohen nga konkurrenca strategjike dhe mosmarrëveshje në fusha të ndryshme, aktualiteti asimetrik gjeopolitik po shton nevojën për të pranuar të vërtetën se ekzistojnë hapësira të mëdha për bashkëpunim jo vetëm mes fuqive përcaktuese, por më së shumti, në rrafshin multilateral.
Parimi i shpesh artikuluar nga diplomacia zyrtare kineze, se qasjet e bazuara në dialog, në respekt të ndërsjellë dhe për interesa të përbashkëta, mund të ndihmojnë në uljen e tensioneve dhe në krijimin e mekanizmave më efektivë për menaxhimin e krizave, edhe në këtë samit u ofrua versionalisht.
Bota perëndimore pavarësisht nga pozicioni dhe përballja strategjike, në zhvillimin aktual të marrëdhënieve të balancuara me Kinën, mund të mbetet tek opcioni i dobishëm gjeopolitik. Kjo sjell përfitime të rëndësishme ekonomike dhe politike matanë fuqive.
Partneriteti në tregti, investime, energji të gjelbër, inovacion dhe teknologji sjell kontribute në rritjen ekonomike globale dhe në përshpejtimin e tranzicionit drejt një ekonomie më të qëndrueshme. Ndërsa shumica e strategjistëve në marrëdhëniet ndërkombëtare vlerësojnë se angazhimi konstruktiv me Kinën mund të forcojë përpjekjet ndërkombëtare për përballimin e sfidave, të cilat individualisht nuk mund të zgjidhen.
Në një botë të ndërvarur, sfidat botërore kërkojnë bashkëpunim ndërkombëtar.
Kjo maksimë e realitetit të sotëm gjeopolitik u mishërua sidoqoftë edhe në dialogun që patën ndërmjet tyre vendet e G7 dhe sidomos edhe me Kinën. Kjo fuqi është element thelbësor për stabilitet ndërkombëtar, për zhvillim ekonomik dhe posaçërisht për ndërtimin e rendit botëror të qëndrueshëm dhe më bashkëpunues, në ditët kur janë tejkaluar provat e shembjes së ekzistuesit.

