TIRANË, 31 maj 2026/Albania Express News/Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me konferencën ndërqeveritare në Bruksel, duke e akuzuar atë për mashtrime, korrupsion dhe shkelje të parimeve të transparencës.
Në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale, Berisha deklaroi se, “për sa i përket IBARI-t, të gjithë shqiptarët sot e morën vesh se u bënë 32 amendime nga më të fortat, me të cilat provohen se Edi Rama ka shkelur parimet më kryesore të luftës kundër korrupsionit dhe transparencës”.
Sipas Berishës, zhvillimet e fundit në proceset europiane dhe raportimet e lidhura me integrimin tregojnë probleme serioze në qeverisje dhe luftën kundër korrupsionit.
Ai akuzoi gjithashtu qeverinë për, siç u shpreh, “sipërmarrje digjitale që përdoren për të vjedhur qytetarët”.
Berisha solli shembuj krahasues mbi kostot e projekteve digjitale.
“Dje, ju patë në kuvendin e Partisë Demokratike avatarin ‘Skënderbe’ i cili kushton, ka kushtuar gjithsej te 100 euro, ndërkohë avatari i Edi Ramës, Diella ka kushtuar rreth 4 milionë euro”, tha Berisha.
“Me Edi Ramën integrim nuk ka dhe nuk mund të ketë, sepse Shqipëria digjitale po përdoret për të rrjepur qytetarët”, u shpreh Berisha në videomesazh.

