Nga Shkëlzen Hankoja
GRAMSH, 17 maj 2026 / Albania Express News/ Situata në aksin rrugor Gramsh–Kukur është rënduar ndjeshëm gjatë orëve të fundit, pasi reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje të mëdha dherash, duke bllokuar plotësisht qarkullimin dhe duke rrezikuar seriozisht jetën e drejtuesve të mjeteve që kalojnë në këtë segment problematik.
Ngjarja më shqetësuese është regjistruar në vendin e njohur si “Përroi i Pishave”, ku një kamion i ngarkuar me mallra ushqimore, i cili po furnizonte dyqanet e njësisë administrative Kukur, ka mbetur i bllokuar në mes të rrugës pasi një pjesë e saj është shembur nga rrëshqitja e dherave.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, mjeti i tonazhit të rëndë ka mbetur i varur në buzë të rrugës, ndërsa njëra anë e tij rrezikon të rrëshqasë drejt humnerës. Drejtuesi i kamionit ka kërkuar ndërhyrje urgjente nga strukturat përgjegjëse, pasi situata konsiderohet tepër e rrezikshme dhe çdo lëvizje e gabuar mund të sjellë pasoja të rënda.
Banorët e zonës shprehen se aksi Gramsh–Kukur prej vitesh përballet me probleme serioze infrastrukturore, sidomos gjatë stinës së reshjeve, ku rrëshqitjet e dherave dhe amortizimi i rrugës e bëjnë qarkullimin pothuajse të pamundur. Ata theksojnë se mungesa e investimeve dhe e ndërhyrjeve afatgjata ka bërë që çdo mot i keq të izolojë përkohësisht zonën.
Bllokimi i këtij aksi ka krijuar vështirësi të mëdha për lëvizjen e banorëve, transportin e mallrave dhe furnizimin e bizneseve lokale, ndërsa shumë automjete janë detyruar të kthehen pas për shkak të pamundësisë për të kaluar.
Banorët dhe drejtuesit e mjeteve u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë sa më shpejt për stabilizimin e segmentit të dëmtuar, largimin e dherave dhe garantimin e sigurisë në këtë aks jetik për zonën e Kukurit.
Ndërkohë, frika për rrëshqitje të tjera mbetet e lartë, pasi reshjet e shiut vijojnë edhe gjatë ditës së sotme, duke e bërë situatën edhe më kritike.

