“Uragani Verdheblu” pushton sonte stadiumin “Air Albania”, mijëra elbasanas në marshim drejt ëndrrës kampione të AF Elbasanit

NGA FATMIR POPJA

ELBASAN,17 maj 2026/Albania Express News/Mbrëmja e sotme pritet të jetë një nga ato net që do të mbeten gjatë në kujtesën e futbollit elbasanas , jo vetëm për rëndësinë e ndeshjes ndaj Egnatias, por mbi të gjitha për mobilizimin e jashtëzakonshëm të tifozërisë verdheblu, e cila ka vendosur të “pushtojë ” tribunat e stadiumit “Air Albania ” në mbështetje të “AF Elbasanit” në rrugën drejt titullit kampion.

Që në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele, qyteti i Elbasanit është zgjuar me ritmin e ndeshjes së parë të tri finaleve të “Final Four”. Organizimi i tifozëve, përgatitja e flamujve, banderolave dhe koreografive ka nisur herët, ndërsa grupimet ultras “Tigrat Verdheblu” dhe “Arrakatët” kanë marrë përsipër të krijojnë një atmosferë elektrizuese në tribunat e stadiumit “Air Albania”. Objektivi është i qartë ,disa mijëra tifozë verdheblu të jenë sonte në “Air Albania” për të motivuar ekipin drejt një fitoreje që mund të vlejë sa një hap gjigand drejt trofeut të titullit kampion.

Ultrasit elbasanas kanë paralajmëruar gjithashtu një udhëtim spektakolar në autokolonë nga Elbasani drejt Tiranës, në një marshim që pritet të kthehet në një “uragan verdheblu” në rrugët e kryeqytetit. Me këngë, fishekzjarre, tymuese dhe atmosferë festive, tifozët kërkojnë të tregojnë edhe një herë se mbeten lojtari i 12-të i skuadrës së tyre të zemrës.

Ashtu si gjatë gjithë këtij sezoni, edhe në fazën “Final Four”, tifozëria e AF Elbasanit është e vendosur të bëjë spektakël në tribuna. Besimi te skuadra është maksimal dhe ëndrra për t’u kurorëzuar kampionë duket më pranë se kurrë.
Për verdheblutë nuk ka më vend për kalkulime .Ekziston vetëm dëshira për fitore dhe për t’i rikthyer qytetit lavdinë e madhe sportive.

Atmosfera në kampin verdheblu është ndezur në maksimum. “AF Elbasani ” hyn në këtë fazë finale me ritëm, besim dhe moral të lartë, ndërsa përballë do të ketë kampionët në fuqi të Egnatias, një rival që elbasanasit e njohin mirë pas gjashtë përballjeve gjatë këtij sezoni mes kampionatit dhe Kupës.

Skuadra është e përgatitur për të dhënë maksimumin në këtë moment vendimtar të sezonit. Brenda grupit ekziston bindja se ky është momenti për të shkruar histori dhe se çdo futbollist duhet të japë gjithçka për fanellën, qytetin dhe mijëra tifozët që do të mbushin tribunat.

Verdheblutë mbeten të fokusuar vetëm te loja e tyre, pa u shpërqendruar nga rezultatet e rivalëve, megjithëse mbrëmjen e djeshme Dinamo City mposhti Vllaznia me rezultatin 2-0 në ndeshjen e parë të “Final Four”, falë golave të Malomos dhe James në minutat e fundit.
Pas këtij rezultati, shkodranët mbeten me 31 pikë, po aq sa AF Elbasani, ndërsa Egnatia ndjek me tri pikë më pak, çka e bën sfidën e sotme edhe më vendimtare për fatet e titullit.

Në tribunat e “Air Albania” nuk do të mungojnë sonte as tifozët verdheblu të ardhur nga Italia, Greqia dhe vende të tjera, të cilët kanë zgjedhur të rikthehen pranë skuadrës për të përjetuar emocionet e “Final Four”. Këtë të dielë në mbrëmje pritet që zemra e Elbasanit të rrahë më fort se kurrë, ndërsa qyteti verdheblu ëndërron që themelet e titullit kampion të çimentohet me mbylljen me sukses të sfidës me Egnatian.Sonte të gjithë së bashku për të bërë histori në “Air Albania” !

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Trashëgimia kulturore e Elbasanit zgjon interesin e turistëve francezë

ELBASAN ,17 maj 2027/ Albania Express News/Muzeu Etnografik vijon...

Reshjet e dendura paralizojnë aksin Gramsh–Kukur, kamioni me ushqime mbetet në buzë të humnerës

Nga Shkëlzen Hankoja GRAMSH, 17 maj 2026 / Albania Express...

Portugalia i jep Shqipërisë pikët maksimale, Italia na “lë në baltë”/ Si u votua vendi ynë në finalen e “Eurovision 2026”

EUROVISION,17, maj 2026/Albania Express News/Shqipëria arriti të merrte 145...