TIRANË , 23 gusht 2026/Albania Express News/-Shkon në katër numri i viktimave nga aksidenti i rëndë automobilistik në rrugën dytësore të Manzës. 16-vjeçari Klevis Dervishi ka ndërruar jetë në spital, disa ditë pas përplasjes së rëndë.
Bilanci i aksidentit tragjik të ndodhur pak ditë më parë në Manzë është rënduar. Mësohet se ditën e sotme ka humbur jetën në spital 16-vjeçari Klevis Dervishi, i cili kishte mbetur i plagosur rëndë nga përplasja.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, i riu nuk ka mundur t’u mbijetojë dëmtimeve të marra dhe ka ndërruar jetë pas disa ditësh nën kujdesin e stafit mjekësor.
Me vdekjen e 16-vjeçarit, numri i viktimave të aksidentit ka shkuar në katër.
Më herët, nga përplasja humbën jetën 25-vjeçari Kleo Vrioni, bashkëshortja e tij Sara Brugnatelli dhe 15-vjeçari Alvi Muhaxhiri.
Aksidenti i rëndë ka tronditur opinionin publik, ndërsa grupi hetimor dhe autoritetet vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkaqeve që çuan në përplasjen fatale.
Hetimet pritet të hedhin dritë mbi dinamikën e aksidentit dhe përgjegjësitë e mundshme.

