Kampionati, i organizuar nga Federata e Futbollit dhe Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë, është kthyer në një nga kompeticionet më të preferuara për futbollistët amatorë dhe ekipet që duan të kombinojnë pasionin për futbollin me emocionet dhe konkurrencën e një kampionati të mirëorganizuar.
Edicioni i ri pritet të nisë më 21 shtator, duke rikthyer në fushat e lojës skuadrat që tashmë janë bërë pjesë e traditës së “Sunday League”, por edhe duke i hapur dyert ekipeve të reja që duan t’i bashkohen këtij kompeticioni.
Në vitet e fundit, “FSHF Sunday League Albania” ka njohur një rritje të vazhdueshme të interesit, numrit të ekipeve dhe nivelit të konkurrimit, duke sjellë ndeshje të luftuara, emocione dhe rivalitet deri në javët e fundit të sezonit. Edicioni i fundit solli një tjetër sezon me përballje të forta dhe aktivitete të shumta, ndërsa kampionati ka vijuar të zgjerojë dimensionin e tij si një hapësirë ku futbolli bashkon njerëz të apasionuar pas sportit.
Për FSHF-në, zhvillimi i futbollit amator është një pjesë e rëndësishme e strategjisë për përhapjen dhe promovimin e futbollit në komunitet. “Sunday League” u jep mundësi të apasionuarve të futbollit të jenë aktivë, të garojnë dhe të përjetojnë emocionet e një kampionati të organizuar, duke e bërë futbollin pjesë të jetës sportive dhe sociale të komunitetit.
Regjistrimet hapen më 24 gusht
Ekipet dhe të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të bëhen pjesë e “FSHF Sunday League Albania 2026-2027” mund të dërgojnë kërkesat për regjistrim në adresën: emuca@fshf.al
Për çdo informacion shtesë mund të kontaktoni në numrin: +355 68 277 2809
Hapja e regjistrimeve: 24 gusht 2026
Nëse futbolli është pasioni yt, është koha të bëhesh pjesë e Sunday League!

