TIRANË, 14maj 2026 /Albania Express News/ Në 35-vjetorin e zanafillës së gazetës “Koha Jonë” dhe 29 vjet pas djegies së saj, botuesi dhe gazetari Nikollë Lesi zhvilloi një intervistë me kryeministrin Edi Rama, i cili ka shkruar për gazetën “Koha Jonë”.
Gjatë intervistës, Lesi pyeti kreun e qeverisë në lidhje me klimën politike në vend dhe kryesisht për opozitën.
Rama tha se PD i nxjerr nga organizmi ata që janë intelektualë, ndërsa sipas tij mbeten figura që “ngrihen në politikë përmes kapacitetit të budallallëkut”.
Ai vijoi duke thënë se në atë forcë politike “ata që kanë një lloj intelektualizmi nuk qëndrojnë dot brenda organizmit”.
“Po e di çfarë domethënë të jesh personalitet në PD? E di çfarë do të thotë të jesh sot personalitet në PD? Të shquhesh për budallallëkun tënd, domethënë të kesh kapacitet budallallëku të atillë, që të ngrihesh lart në pozitë. Kështu funksionon”, u shpreh Rama.
“Po si mund të jesh edhe intelektual dhe molotovar? Edhe intelektual edhe figurë e shquar në PD? Nuk ndodhin dot këto të dyja. Po ta shikosh me kujdes çfarë i ka ndodhur asaj partie, që nga koha që e përmende ti, se përmende Gramoz Pashkon apo jo? Që nga ajo kohë, cila ka qenë karakteristika e asaj partie? Kush ka pasur një intelektualizëm?”, vijoi ai.
“I nxjerr, nuk i mban dot organizmi. I nxjerr, i nxjerr, nuk i mban dot. Dhe kush, dhe kë absorbon organizmi? Ata që janë në gjendje ta ngrenë nivelin e budallallëkut në përmasa që njerëzit normalë nuk e ngrenë dot”, tha Rama.
Sa i përket ish-kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, Rama u shpreh me ironi se “ai ishte intelektuali i fundit aty që kishte një elokuencë, kishte një mendim. Po e kapi budallallëku dhe atë. Po mirë, ai ishte intelektual jo në shkencat ekzakte. Në shkencat fleksibël”, tha Rama.
Gjatë diskutimit, Lesi ngriti çështjen e censurës dhe autocensurës në media. Rama tha se shumica e mediave kanë qëndrim kritik ndaj qeverisë.
Sipas tij shpesh “shumica e titujve janë luftë kundër qeverisë”.

