SHKODËR , 15 nëntor 2026/Albania Express News/-Lumi i Shalës në vjeshtë ofron një pamje magjike dhe të qetë, ku uji kristalor blu ndërthuret me ngjyrat e arta, të kuqe dhe të verdha të pyjeve përreth, veçanërisht të gështenjave dhe bliri.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video nga bukuritë e këtij destinacioni, duke e cilësuar atë si një perlë të natyrës shqiptare.
“Lumi i Shalës, një perlë e natyrës shqiptare, ku ujërat e kristalta, malet madhështore dhe bukuria e paprekur krijojnë një peizazh magjepsës”, shkruan Rama.
Lumi i Shalës tërheq çdo vit vizitorë vendas dhe të huaj, të cilët zgjedhin ta eksplorojnë zonën përmes udhëtimeve me varkë, ngjitjeve në majat përreth, zhytjes në ujërat e freskëta të lumit, si dhe të shijojnë ushqimet tradicionale që ofrohen në bujtinat e ngritura pranë tij.
Lumi i Shalës buron rrëzë Alpeve dhe ka një gjatësi prej 37 km prej burimit në majën e Radohinës e deri në Drin. Lumi i Shalës dallohet për ujin e tij të veçantë ngjyrë blu të thellë.
Ai është i pasur me një shumëllojshmëri peshqish, por më e përhapura është trofta, që rritet vetëm në ujërat e ëmbla. Ngjyra e kaltër dhe e ftohtë e ujit është karakteristike e këtij lumi, shkëmbinjtë e thepisur që e rrethojnë, duken sikur prekin qiellin.

