SHKODËR ,17 qershor 2026/Albania Express News/ Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës hyn në një etapë të re drejtimi me marrjen e detyrës nga Prof. Dr. Blerta Dragusha, e cila përmes një mesazhi publik drejtuar komunitetit akademik, studentëve, administratës dhe qytetarëve, ka shprehur angazhimin e saj për të udhëhequr institucionin me përgjegjësi, transparencë dhe vizion afatgjatë.
Në reagimin e saj të parë pas marrjes së detyrës, Prof. Dr. Dragusha e cilësoi këtë emërim si një nder të veçantë, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi të madhe ndaj universitetit, studentëve dhe gjithë qytetit të Shkodrës.
“E kam pranuar këtë detyrë me përkushtim të plotë dhe me bindjen se misioni i universitetit tonë ,formimi i brezave të rinj, zhvillimi i kërkimit shkencor dhe promovimi i dijes ,duhet të jetë gjithmonë në qendër të çdo veprimi dhe vendimmarrjeje”, theksoi ajo.
Rektorja e re falënderoi Ministren e Arsimit për besimin e dhënë, duke garantuar se drejtimi i universitetit do të bazohet në parimet e integritetit, përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies, me fokus të veçantë te interesat e studentëve dhe zhvillimi i mëtejshëm institucional.
Një vend të rëndësishëm në mesazhin e saj zuri edhe vlerësimi për punën e paraardhësit, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, të cilin e falënderoi për kontributin e dhënë në drejtimin e universitetit gjatë dy viteve të fundit. Dragusha shprehu mirënjohje për rolin e tij në proceset e zhvillimit të institucionit dhe i uroi suksese në angazhimet e ardhshme akademike dhe profesionale.
Në vizionin e saj për të ardhmen, rektorja e re nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me stafin akademik dhe administrativ, duke synuar forcimin e një kulture institucionale të bazuar në dialog, respekt reciprok, meritokraci dhe profesionalizëm.
Sipas saj, studentët do të mbeten në qendër të çdo politike dhe iniciative universitare, duke u konsideruar si arsyeja kryesore e ekzistencës dhe misionit të institucionit. Në të njëjtën kohë, ajo shprehu vendosmërinë për të zgjeruar bashkëpunimin me partnerët institucionalë, komunitetin lokal dhe botën akademike brenda dhe jashtë vendit.
Prof. Dr. Blerta Dragusha deklaroi se gjatë ushtrimit të mandatit të saj do të udhëhiqet nga parimet e qeverisjes së mirë universitare, ku transparenca, autonomia akademike, promovimi i ekselencës, llogaridhënia dhe përfshirja aktive e komunitetit universitar do të jenë shtyllat kryesore të funksionimit të institucionit.
Duke iu referuar traditës 70-vjeçare të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, ajo shprehu besim të plotë në potencialin e universitetit dhe të stafit të tij, duke premtuar angazhim maksimal për ndërtimin e një institucioni më të fortë, më cilësor dhe më konkurrues në hapësirën shqiptare dhe më gjerë.
Në fund të mesazhit të saj, rektorja e re u bëri thirrje maturantëve të zgjedhin Universitetin e Shkodrës për studimet e tyre të larta në vitin akademik 2026–2027, duke i ftuar të bëhen pjesë e një komuniteti universitar që synon të ndërtojë të ardhmen përmes dijes, inovacionit dhe vlerave akademike.
Me marrjen e detyrës nga Prof. Dr. Blerta Dragusha, Universiteti “Luigj Gurakuqi” nis një kapitull të ri, ku pritshmëritë janë të mëdha për forcimin e cilësisë në mësimdhënie, rritjen e kërkimit shkencor dhe konsolidimin e rolit të universitetit si një nga institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në vend.

