Elbasan, shpërthimi në pallatin në lagjen “Beqir Dardha” – Operacioni i kërkim-shpëtimit, 16 efektivë në terren, pak shpresa për 69-vjeçarin

Kolonel Hajdar Gurra: Godina është tërësisht e shkatërruar, kamerat termike tregojnë shumë pak gjasa që Hamit Ibro të gjendet i gjallë

ELBASAN, 4 nëntor 2026 / Albania Express News/ – Vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në pallatin e dëmtuar rëndë nga shpërthimi i fuqishëm në lagjen “Beqir Dardha” në Elbasan, ku dyshohet se ndodhet nën rrënoja 69-vjeçari Hamit Ibro.

Komandanti i Bazës së Mbështetjes dhe Emergjencave Civile, kolonel Hajdar Gurra, në një deklaratë për mediat bëri të ditur se në terren janë angazhuar dy ekipe kërkim-shpëtimi, me gjithsej 16 persona dhe pajisjet e nevojshme për zhvillimin e operacionit.

Ai theksoi se ndërhyrja paraqet rrezikshmëri shumë të lartë për shkak të gjendjes së rëndë të godinës, e cila është thuajse tërësisht e shkatërruar.

Sipas kolonel Gurrës, kërkimet do të vijojnë deri në përfundim, por duke respektuar me rigorozitet të gjitha parametrat e sigurisë për efektivët e angazhuar.

Një nga elementët më shqetësues të operacionit janë rezultatet e përdorimit të kamerave termike, të cilat, sipas tij, tregojnë shumë pak gjasa që 69-vjeçari Hamit Ibro të gjendet ende gjallë.

Aktualisht, ekipet janë përqendruar në pjesën e godinës ku, bazuar në informacionet e familjarëve dhe strukturave vendore, mendohet se ka qenë i moshuari në momentin e shpërthimit.

Operacioni vijon mes vështirësive të mëdha, ndërsa autoritetet po bëjnë të gjitha përpjekjet për të lokalizuar 69-vjeçarin dhe për të garantuar sigurinë e personelit të shpëtimit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Tragjedi në Elbasan, shpërthimi në apartament i merr jetën 83-vjeçarit

ELBASAN, 4 nëntor 2026 / Albania Express News –...

Elbasan, shpërthen dyshohet bombola e gazit, përfshihet nga flakët një apartament në lagjen e Kinezëve

Elbasan, shpërthen bombola e gazit, përfshihet nga flakët një...