ELBASAN ,05 gusht 2026/Albania Express News/-Policia Rrugore e Elbasanit ka vijuar monitorimin intensiv në të gjitha akset rrugore urbane dhe interurbane të qarkut, duke përdorur patrulla, radarë dhe mjete logjistike, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, evidentimin e shkeljeve të Kodit Rrugor dhe rritjen e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës 27 korrik – 2 gusht 2026, janë evidentuar 9 raste të veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, të gjitha për drejtim automjeti në gjendje të dehur. Nga këta drejtues, 3 janë arrestuar, ndërsa 6 të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, sipas dispozitave të Kodit Penal.
Paralelisht me procedimet penale, efektivët e Policisë Rrugore kanë intensifikuar kontrollet në të gjithë qarkun, duke vendosur 1 787 masa administrative për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit.
Shkelja më e përhapur ka qenë tejkalimi i normave të lejuara të shpejtësisë, për të cilën janë vendosur 1 000 masa administrative. Po ashtu janë ndëshkuar 301 drejtues për parakalime të gabuara, 32 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit, 14 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 85 për mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe 58 drejtues motomjetesh për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse. Ndërkohë, 297 masa të tjera janë vendosur për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Gjatë kësaj jave janë pezulluar edhe 3 leje drejtimi, si pasojë e shkeljeve të rënda të rregullave të qarkullimit rrugor.
Policia Rrugore bën të ditur se kontrollet do të vijojnë pa ndërprerje në të gjitha akset e qarkut të Elbasanit, me fokus parandalimin e aksidenteve, rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe ndëshkimin e çdo drejtuesi që shkel ligjin.
Në përfundim, Policia u bën apel të gjithë drejtuesve të mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit, të mos drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit, të respektojnë kufijtë e shpejtësisë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit dhe të përdorin gjithmonë pajisjet e sigurisë, si rripin dhe kaskën mbrojtëse. Gjithashtu, qytetarët ftohen të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në numrin pa pagesë 112, duke kontribuar në rritjen e sigurisë në rrugë.


