“Poezia si Kujtesë”, Elbasani përkujton Revoltën e Spaçit dhe poetët martirë të fjalës së lirë

NGA FATMIR POPJA

ELBASAN,21 maj 2026/Albania Express News/Aktivitetin përkujtimor “Poezia si Kujtesë”, organizuar në Teatrin Skampa në qytetin e Elbasanit  në kuadër të 21 Majit – Revoltës së Spaçit dhe “Ditës së Qëndresës ndaj Regjimit Totalitar”. e shoqëroi një atmosferë e mbushur me emocion, reflektim dhe mesazhe të forta për lirinë e fjalës.

Ky takim i veçantë kulturor dhe edukativ mblodhi së bashku studentë, gjimnazistë, pedagogë, gazetarë,artistë dhe dashamirës të letërsisë, për të kujtuar poetët dhe shkrimtarët shqiptarë që u burgosën, u internuan apo u pushkatuan gjatë diktaturës komuniste vetëm pse besuan te fjala e lirë.

Në qendër të aktivitetit ishte fuqia e poezisë si dëshmi historike dhe si kujtesë kolektive për brezat e rinj. Të rinjtë interpretuan me ndjenjë vargje të poetëve dhe përkthyesve të njohur shqiptarë, të cilët vuajtën tortura çnjerëzore në burgje dhe internime, ndërsa shumë prej tyre humbën edhe jetën për shkak të bindjeve dhe krijimtarisë së tyre.

Poetja Laureate Rita Petro, njëherazi organizatore e aktivitetit, së bashku me pedagogien Jonila Godole, përcollën mesazhe të forta mbi rëndësinë e kujtesës historike dhe domosdoshmërinë që brezi i ri të njohë të vërtetat e së kaluarës.

Një mesazh mjaft domethënës gjatë aktivitetit dha edhe Eda Gugu ,pedagoge në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan , e cila u ndal te rëndësia që ka kujtesa historike në formimin qytetar të të rinjve. Ajo theksoi se poezia dhe letërsia janë ura që lidhin brezat me të vërtetën, ndërsa kujtoi se heshtja ndaj së kaluarës është rrezik për të ardhmen.

“Kur të rinjtë lexojnë vargjet e poetëve të persekutuar, ata nuk mësojnë vetëm histori, por kuptojnë çmimin e lirisë dhe të dinjitetit njerëzor”, u shpreh ajo gjatë fjalës së saj.

Pedagogia Eda Gugu nënvizoi gjithashtu se aktivitetet të tilla nuk janë vetëm homazhe simbolike, por një thirrje për ndërgjegjësim shoqëror, në mënyrë që sakrificat e atyre që u përndoqën për mendimin e lirë të mos harrohen kurrë.

Gjatë aktivitetit u theksua se poezia mbetet një nga format më të fuqishme të rezistencës njerëzore ndaj shtypjes dhe censurës. Vargjet e lexuara sollën jo vetëm dhimbjen e një epoke të errët, por edhe forcën shpirtërore të atyre që nuk hoqën dorë nga e drejta për të menduar dhe për të shkruar lirshëm.

Organizatorët e cilësuan këtë aktivitet si një homazh për “heronjtë e fjalës së lirë”, duke nënvizuar se kujtesa për krimet e diktaturës duhet të ruhet dhe të transmetohet brez pas brezi, në mënyrë që histori të tilla të mos përsëriten më.

Takimi poetik u organizua nga Poetja Laureate Rita  Petro dhe Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, në bashkëpunim me Bashkia Elbasan dhe partnerë të tjerë mbështetës.

Aktiviteti u kthye në një moment të veçantë reflektimi dhe respekti për ata që sakrifikuan jetën dhe lirinë në emër të së vërtetës, ndërsa të rinjtë e pranishëm dhanë mesazhin se kujtesa historike mbetet një detyrim moral për çdo shoqëri demokratike.

 

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

SHBA zhvendos aeroplanmbajtësen Nimitz drejt Karaibeve, Kuba mund të ketë fatin e Venezuelës

SHBA,21 maj 2026/Albania Express News/Me aktakuzën ndaj Raul Castros,...

Tragjedi në Spanjë, vajza dyvjeçare vdes nga i nxehti pasi babai e harroi në makinë

SPANJË,21 maj 2021/Albania Express News/Një ngjarje tragjike ka tronditur...

Masa të menjëhershme në Vlorë pas evidentimit të vatrës me murtajë, ministri Andis Salla në terren me ekipet veterinare

VLORË,21 maj 2026/Albania Express News/Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit...