SEZONI I RI POLITIK DHE QYTETARËT

NGA NERTIL JOLE

TIRANË , 26 gusht 2026/Albania Express News/-Në thelbin e vet politika është aspiratë, vizion dhe marrëdhënie. Për një mazhorancë, dy të parat marrin trajtën e zbatimit të një programi qeverisës.

Kur gjykojmë apo analizojmë politikën, qeverisja ka pjesën e luanit në detyrimet dhe përgjegjësitë që vetë sistemi prodhon dhe kërkon prej saj. Ndërkohë, nuk mbeten jashtë vëmendjes së shoqërisë, vizione që nuk janë ende në zbatim, apo ato që vijnë si oponencë ndaj qeverisjes.

Kjo bashkëjetesë idesh dhe mbajtja gjallë dhe e pandërprerë e marrëdhënies së qeverisjes me shoqërinë apo grupe të caktuara brenda saj, shëndoshin dhe modernizojnë vetë politikën. Kështu përmirësohet edhe produkti i pritshëm, që është rritja e cilësisë së jetës së qytetarëve.

Shtatori përkon me fillimin e sezonit të ri politik. Parlamenti rihap dyert, qeveria rikthehet në detyrë me angazhim të plotë dhe partitë politike rindezin përpjekjet e tyre për të fituar më shumë besim nga publiku. Për rrjedhojë, edhe televizionet mbushen sërish me debate të zhurmshme.

Politika duket sikur i ngjan një ndeshjeje futbolli. Qytetarët në “tribunë” dhe politikanët në “fushë”.

Mendoj se sezoni i ri politik, në rrethanat e reja social-politike dhe në stadin e paraaderimit në BE ku ndodhet vendi, duhet ta ndryshojë këtë raport. Shqipëria e sotme nuk është më ajo e disa viteve më parë dhe as qytetarët nuk janë më të njëjtë. Ata janë më të informuar, më kërkues e më të vetëdijshëm për atë që duan dhe presin nga politika e shteti.

Rreziku i këtij sezoni të ri politik nuk është përplasja politike mes palëve dhe as mjedisi i polarizuar. Me këtë shqiptarët janë mësuar dhe në një farë mënyre janë imunizuar.
Rreziku është lodhja qytetare.

Kur qytetarët lodhen, ata shkëputen nga politika. Dhe kur ata shkëputen, politika kthehet në një teatër pa publik.

Ka një mundësi reale që ky sezon të mundësojë ndryshime cilësore. Nëse qytetarët ndihen të lodhur për arsye legjitime, ata përsëri mund të mbeten të prirur të besojnë te politika, nëse iu jepen arsye të drejta dhe konkrete për të besuar.

Shqipëria ka shumëçka për të ecur përpara. Ka qytetarët e saj, diellin, detin, historinë e mbi të gjitha, një rini të talentuar që mendon europianisht, që është e lidhur me botën dhe që ka potencialin për të sjellë ide, energji dhe zhvillim.

Kemi shumë arsye për të qenë realistë me rezultatet e arritura, por kemi edhe arsye për të qenë optimistë.

Pavarësisht lodhjes, zhgënjimeve apo skepticizmit, dëshira për një Shqipëri më të mirë mbetet aty. Dhe kjo dëshirë nuk është vetëm përgjegjësi e politikës. Është përgjegjësi e të gjithëve.

Çfarë mund të bëjmë ne bashkë, të gjithë, për vendin dhe për mirëqenien tonë, është ndoshta arsyeja më e bukur për të qenë optimistë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Pse kaq shumë neveri për njëri-tjetrin, o shqiptarë?!

Nga Vladimir Selamaj FIER , 26 gusht 2026/Albania Express News/-Ekziston...

Zjarr i madh në Sarandë, flakët përfshijnë kodrën dhe krijojnë re të mëdha tymi

SARANDË , 26 gusht 2026/Albania Express News/-Një zjarr ka...

Vizita e drejtorit të CIA-s në Moskë, Trump lë të hapur mundësinë e një marrëveshjeje: Diçka mund të dalë nga kjo

SHBA , 26 gusht 2026/Albania Express News/-Presidenti amerikan Donald...