PEQIN / TIRANË, 17 shtator 2026 /Albania Express News/- Një aparat celular është konstatuar dhe sekuestruar gjatë kontrolleve të ushtruara në IEVP Peqin, në kuadër të masave për garantimin e sigurisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.
Kontrollet janë zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP), në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.
Gjatë kontrollit të sendeve personale të të dënuarit Florian Çepa, shërbimet kanë gjetur një aparat celular, send i ndaluar për t’u mbajtur nga personat e dënuar apo të paraburgosur brenda institucioneve penitenciare.
Sipas të dhënave, Florian Çepa është person i dënuar për veprat penale të vjedhjes dhe prodhimit e shitjes së narkotikëve.
Pas konstatimit të celularit, janë kryer veprimet e para procedurale dhe Çepa është arrestuar në flagrancë.
Ndaj tij janë referuar materialet për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale”, parashikuar nga neni 324/a, pika 2, i Kodit Penal.
Autoritetet vijojnë procedurat ligjore për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive.
Kontrollet në institucionet penitenciare janë pjesë e masave të ndërmarra për parandalimin e futjes dhe përdorimit të sendeve të ndaluara, me synim ruajtjen e sigurisë dhe rendit brenda ambienteve të vuajtjes së dënimit.

