Kujdes shëndetin! 13 vendet me rrezik të lartë

Nga Lutfi Dervishi

TIRANË ,17 shtator 2026 /Albania Express News/-Ka vende ku rreziku nuk vjen nga lartësia, shpejtësia apo terreni i vështirë, por nga… çmimi.

Janë vende krejt të zakonshme, por kohët e fundit një vizitë në to mund të shkaktojë rrahje të shpejta të zemrës, marramendje, djersë të ftohta, turbullim të shikimit dhe, në raste të rënda, edhe humbje të besimit te Besa dhe Pasqyra Albania!

Për sigurinë tuaj, më poshtë është renditja, sipas shkallës së rrezikut:

13. Parkingu në Tiranë

Goditja e parë është relativisht e lehtë, sepse balancohet me faktin që, më në fund, ke arritur të gjesh një vend parkimi.

12. Dentisti

Rreziku shtohet ndjeshëm kur, pas frazës “është vetëm një ndërhyrje e vogël”, vjen momenti kur dëgjon çmimin.

11. Aeroporti

Simptomat shfaqen zakonisht pasi porosit një kafe. Dhe larg qoftë nëse kafen e shoqëron edhe me një shishe ujë.

10. Banka

Veçanërisht kur pyet se sa do të paguash gjithsej për kredinë që sapo të thanë se e ke marrë “me mik” ose me “kushte shumë të favorshme”.

9. Farmacia

Nëse hyn për të ulur tensionin, kujdes! Çmimi i ilaçeve mund të ta ngrejë përsëri.

8. Fatura e ujit

Sidomos kur kujtohesh se ujin e ke pasur vetëm disa orë në ditë, ndërsa ujin e pijshëm e blen “sa frëngu pulën”.

7. Fatura e energjisë

Një test i rregullt mujor për sistemin nervor dhe atë kardiovaskular.

6. Agjencia imobiliare

Këtu këshillohet të uleni dhe të merrni frymë thellë përpara se të bëni pyetjen fatale:

“Sa është metri katror?”

5. Pika e marrjes së pensionit

Rreziku nuk vjen nga shuma që merr, sepse atë e ke llogaritur edhe në ëndërr.

Rreziku vjen nga mendimi se me atë shumë duhet të jetosh një muaj.

4. Spitali

Këtu kërkohet kujdes i veçantë, sidomos gjatë kontaktit të parë me rojen, sanitaren apo infermierin.

3. Supermarketi

Ky është vendi ku një qese me ushqime mund të prodhojë më shumë adrenalinë se një film aksion.

Hyn për të blerë disa gjëra dhe del duke kontrolluar llogarinë bankare.

2. Exchange

Mos bëni lëvizje të menjëhershme.

Në fillim shikoni tabelën ngadalë, sidomos nëse të ardhurat i keni në euro dhe shpenzimet në lekë.

Dhe mos pyet më: “Sa ka vajtur euro?”

Pyet: “Si e kemi lekun sot?”

1. Pika e karburantit

Kujdes! Zonë me rrezikshmërinë më të lartë.

Fikni motorin, merrni frymë thellë dhe, gjatë furnizimit, përpiquni të mos e shikoni pompën.

Rekomandohet që të harroni përgjithmonë frazën:

“Mbushe plot!”

Dhe në vend të saj përdorni:

“Hidhi 10 mijë lekë!”

Sepse shëndeti është i pari. Sidomos kur bëhet fjalë për shëndetin e portofolit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Egnatia mposht Partizanin, kampionët rikthehen te fitorja

RROGOZHINË, 20 shtator 2026 /Albania Express News/- Egnatia është...

Presheva në fokus të investimeve: Kurti dhe diaspora shqiptare diskutojnë për potencialin ekonomik të rajonit

PRESHEVË/SHBA, 20 shtator 2026 /Albania Express News/- Në kuadër...