PD kërkon interpelancë urgjente me ministrin e Mbrojtjes për kompaninë KAYO

Deputeti Klevis Balliu, së bashku me deputetët Flamur Noka, Isuf Çelaj, Jorida Tabaku, Bledion Nallbati, Elda Hoti, Ledina Aliolli, Gazment Bardhi, kërkuan sot interpelancë urgjente në Kuvend me ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi, lidhur me funksionimin e kompanisë shtetërore KAYO sh.a.

Në shkresën zyrtare të PD-SË, thuhet se kërkesa ngre shqetësime për transparencën, mënyrën e krijimit dhe marrëdhëniet e kësaj shoqërie me partnerë privatë në industrinë ushtarake. Sipas deputetëve, vendimet e qeverisë gjatë vitit 2025 kanë lejuar që KAYO të hyjë në bashkëpunime ku shpesh mban pjesë minoritare, duke ngritur pikëpyetje mbi kontrollin shtetëror dhe mbrojtjen e interesit publik.

Në deklaratën e PD thuhet se në fokus janë edhe disa kompani të përbashkëta, përfshirë TIMAK Defence, si dhe përfshirja e biznesmenit izraelit Ron Yeffet, për të cilin kërkohen verifikime mbi rolin dhe lidhjet e tij. Po ashtu, opozita kërkon sqarime për marrëdhëniet me kompaninë izraelite “Elbit Systems” dhe për një marrëveshje të mundshme që përfshin furnizime ushtarake dhe investime, për të cilat mungon transparenca mbi vlerën dhe financimin.

Në total, janë ngritur 22 pyetje që lidhen me rolin e ministrit, përzgjedhjen e partnerëve, procedurat kontraktuale, kontrollin parlamentar dhe rreziqet për sigurinë kombëtare.

Deputetët theksojnë se, për shkak të ndjeshmërisë së sektorit të mbrojtjes dhe implikimeve financiare e të sigurisë, është i domosdoshëm një sqarim i plotë publik nga Ministria e Mbrojtjes në Kuvend.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME