Pse nuk e mendojmë “tjetrin” si “unë”?

Nga Sejdin Cekani

TIRANË , 11nëntor 2026 / Albania Express News /-Të enjten në mbrëmje, në emisionin politik të një televizioni, një politikan i lartë dhe një gazetar gati sa nuk u kacafytën me njëri-tjetrin. Në sfond dëgjoheshin vetëm britma dhe një refren që përseritej disa herë: “Unë nuk jam si ti. Mos bëj gam, gam”. Pra, ai “tjetri”, nuk mund të ishte saktësisht qenie njerëzore, përderisa bënte gam, gam. Patjeter që duhej etiketuar si inferior, duhej poshtëruar.

Për fat të keq, në mjedisin tonë shoqëror vihet re një dukuri që, ndonëse nuk është e re, po bëhet gjithnjë e më e zakonshme. E kemi fjalën për prirjen për ta parë tjetrin jo si të ngjashmin tonë, jo si bashkudhëtar, partner apo bashkëpunëtor, por si dikë që duhet mbajtur larg, mundësisht nën vete, madje edhe ta nënçmojmë, nëse është e mundur.

Kjo është një mënyrë të menduari që e ndan botën më dysh: “unë” dhe “tjetri”, “ne” dhe “ata”, “të mitë” dhe “të tjerët”. Në këtë ndarje, tjetri nuk shihet më si një qenie njerëzore me të njëjtat të drejta, nevoja, dobësi dhe ëndrra si ne, por si një kërcënim për epërsinë tonë.
Ka individë që duket sikur jetojnë me një parim të pashpallur: “Unë jam i pari. Jam më i mençuri. Meritoj të respektohem. Unë duhet të drejtoj. Më takon të kem më shumë. Pas meje vijnë të tjerët”. Kjo psikologji e “unit” të madh, rrethuar nga “të tjerët”, nuk është thjesht krenari.

Shpesh është një lloj pasigurie e maskuar si skrutë, kryelartësi boshe. Njeriu që është vërtet i vetëdijshëm për vlerat që mbart, nuk ka pse ta zvogëlojë tjetrin për t’u ndier vetë “i madh”. Ai nuk ka pse trembet nga suksesi apo inteligjenca e tjetrit dhe nuk duhet ta shohë bashkëpunëtorin si rival vetëm pse ai e ka bërë diçka më mirë. Përkundrazi, suksesi i tjetrit mund të jetë një dëshmi se diçka e mirë është e mundur të bëhet gjithmonë.

Por pikërisht këtu lind problemi. Jo të gjithë gëzohen për arritjen e tjetrit. Në vend që të pyesim me dashamirësi se çfarë bëri ky njeri, çfarë mund të mësojmë prej tij, pyesim: “Kush na qenka ky që u bë kaq i suksesshëm?” Dhe kështu, në vend që të përpiqemi të kuptojmë se çfarë e çoi përpara, fillojmë të kërkojmë të metat.
“Pfff, u bo dhe ky”, thuhet shpesh. Nëse nuk gjejmë një mangësi profesionale, kërkojmë ndonjë cen moral apo dhe ndonjë gabim në jetën private. Nëse as kjo nuk mjafton, sajojmë një dyshim. Kur arritjen e tjetrit e ndiejmë si humbje për veten, kemi përballë një nga shfaqjet më të shëmtuara të varfërisë shpirtërore.

Sigurisht, krahasimi me të tjerët është një mekanizëm i natyrshëm njerëzor, por ai nuk ka pse të përfundojë në zili. E mira do të ishte që të shndërrohej në frymëzim, por jo gjithmonë ndodh kështu. Problemi nis kur suksesi i tjetrit nuk na frymëzon, por na bën të ndihemi keq. Atëherë fillon përpjekja për ta ulur me çdo kusht, ndaj dhe e tallim, e përqeshim, e ironizojmë, madje arritjen e tij ia atribuojmë fatit, lidhjeve, favoreve apo rastësisë.
Kështu, në vend që të ngrihemi vetë, përpiqemi të ulim tjetrin. Kjo bie në kundërshtim me logjikën e shëndoshë të marrëdhënieve tona njerëzore. Pra, njeriu që nuk arrin të ngrihet vetë në lartësinë e tjetrit, përpiqet të bindë të tjerët se askush nuk është vërtet lart.

Po pse na shqetëson kaq shumë suksesi i tjetrit? Shpjegimi më i thjeshtë është se ai mund të na vërë përballë vetes dhe të na kujtojë atë që nuk kemi bërë, mundësitë që kemi humbur, kohën që kemi shpërdoruar apo se nuk kemi punuar sa duhej. Kjo përballje nuk është gjithmonë e lehtë. Prandaj është më e thjeshtë të themi se tjetri nuk vlen. Në vend që të korrigjojmë veten, korrigjojmë figurën e tjetrit në sytë tanë. Kjo është mbase mënyra më e lehtë për të mbrojtur egon tonë të brishtë.

Por dukuria nuk shfaqet vetëm përballë suksesit. Ajo shfaqet edhe në mënyrën si sillemi me njeriun që gabon. Sapo dikush rrëzohet, humbet, gabon ose gjendet në vështirësi, shpesh shfaqet një lloj kënaqësie e fshehtë: “E meritonte. Mirë iu bë. E vriste shumë lart”. Dhe kështu, fatkeqësia e tjetrit bëhet një lloj qetësimi për egon tonë.
Kjo kënaqësi e përçudnuar për fatkeqësinë e tjetrit lidhet, ndër të tjera, me zilinë dhe mënyrën si e perceptojmë meritën. Por çfarë ndodh me ne kur gëzohemi nga rrëzimi i dikujt? A nuk kemi humbur diçka njerëzore?
Të jesh njerëzor nuk do të thotë vetëm të gëzohesh kur je vetë i lumtur, por, mbi të gjitha, të jesh në gjendje të ndiesh dhimbjen e tjetrit, edhe kur ajo nuk të prek drejtpërdrejt.

Dhembshuria nuk është dobësi, por qytetari. Prandaj një shoqëri njerëzore matet jo vetëm nga mënyra se si i trajton të suksesshmit, por edhe se si sillet me të dobëtin, me atë që ka gabuar dhe me atë që ka nevojë për ndihmë.
Mbase një nga problemet tona është se kemi harruar një të vërtetë të thjeshtë dhe pikërisht atë se njeriu nuk është një ishull i vetmuar. Ne kemi nevojë për tjetrin, për familjen, mikun, kolegun, mjekun, mësuesin, shitësin, punëtorin, administratorin apo dhe fqinjin. Askush nuk e ndërton jetën vetëm. Edhe njeriu më i suksesshëm është produkt i një rrjeti marrëdhëniesh njerëzore.

Kjo do të thotë se prania e tjetrit nuk është asnjëherë pengesë për ne. Shpesh kjo prani na ka krijuar mundësinë të jemi këta që jemi. Prandaj është kaq e gabuar ideja se duhet të ruhemi nga të gjithë, se të gjithë duan të na mashtrojnë, të na përdorin apo se askush nuk na e do të mirën.
Kjo paranojë sociale, kur bëhet mënyrë jetese, e shkatërron besimin dhe e bën bashkëpunimin pothuajse të pamundur. Një shoqëri ku secili e sheh tjetrin si kërcënim, harxhon jashtëzakonisht shumë energji duke u mbrojtur nga njëri-tjetri, në vend që ta përdorë atë energji për të ndërtuar diçka së bashku.

Por ka edhe një paradoks tjetër. Ndonjëherë e përçmojmë tjetrin pikërisht për atë që vetë do të donim të ishim, por nuk jemi. Përçmojmë guximin e tij, sepse vetë kemi frikë. Njeriu që e njeh vërtet veten nuk ka nevojë të shpikë inferioritetin e tjetrit. Ai duhet të pranojë se dikush është më i mirë në një fushë të caktuar, më i ditur, më i aftë, madje më i disiplinuar apo më i talentuar.
Mbi të gjitha, të pranosh vlerën e tjetrit nuk do të thotë të mohosh vlerën tënde.
Njeriu i madh nuk është ai që arrin të jetë gjithmonë mbi të tjerët, por ai që mund të jetë përkrah tyre, t’ia japë dorën dikujt që ka rënë dhe të duartrokasë dikë që ka arritur më shumë. Pra, ta shohësh tjetrin si njeri e jo si rival spo si pengesë.

Dallimet mes nesh janë të shumta, por në thelb ne mbetemi qenie të së njëjtës botë njerëzore. Edhe syri i majtë nuk është gjithmonë i njëjtë me syrin e djathtë, por të dy shohin bashkë. Ndoshta kjo është ajo që duhet t’ia kujtojmë vetes gjithmonë: jemi të ndryshëm, por jo kundërshtarë apo armiq.

Mund të jemi të pabarabartë në aftësi, por jemi të barabartë në dinjitet.
Jeta njerëzore na ka mësuar se qytetërimi fillon pikërisht aty ku mbaron nevoja apo dëshira perverse për ta poshtëruar tjetrin, ndërsa njerëzillëku fillon kur gëzimi i tjetrit nuk na duket më si humbja jonë. Pikërisht atëherë mund të themi, pa hipokrizi, se “tjetri” nuk është më pak se “unë”. Se “ai”, në njëfarë mënyre, është edhe “unë”.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME