Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD, se Shqipëria ngeci sërish në procesin e IBAR, teksa shtoi se shqiptarët në 17 prill do të mbrojnë projektin e jetës së tyre, ëndrrën europiane.
“Këshilli i Ambasadorëve që shqyrton këtë raport, që ka të bëjë me zbatimin e themeleve, gjërave themelore, shtetit ligjor dhe luftës ndaj korrupsionit, çdo javë mbetet në klasë. Çdo javë shtohen vendet që e kundërshtojnë”, tha Berisha.
Kreu i PD theksoi se Shqipëria veçohet ndërsa qeveria, sipas tij nxjerr zëdhënësit dhe thotë, që Shqipëria është para Malit të Zi, ndërkohë që Mali i Zi, siç u shpreh Berisha, u votua pozitivisht unanimisht që në fillim të marsit.
Berisha theksoi se, “data 17 është dita e të gjithë shqiptarëve, pavarësisht bindjeve politike, për të cilët ëndrra europiane është projekti i jetës së tyre, familjes së tyre, fëmijëve të tyre dhe vendit të tyre”, duke iu referuar protestës kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike.

