Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë Dimërues do të nisë edhe këtë vit.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj u shpreh se ky proces po kthehet në një traditë të përvitshme dhe është një hap me rëndësi shkencore për vlerësimin dhe monitorimin e popullatave të shpendëve në vend.
Jaupaj theksoi se, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), Shoqatën Ornitologjike Shqiptare (AOS) dhe partnerë të tjerë mjedisorë, takimi koordinues për organizimin e censit do të zhvillohet më 17 dhe 18 janar.
Sipas tij, procesi do të shtrihet në 34 pika monitorimi në të gjithë territorin e vendit, duke përfshirë lagunat, liqenet, kënetat dhe grykëderdhjet e lumenjve, zona këto me rëndësi të veçantë për biodiversitetin dhe shpendët ujorë dimërues.
“Ky cens përbën një instrument kyç për mbledhjen e të dhënave të sakta shkencore, të cilat ndihmojnë në hartimin e politikave të mbrojtjes së natyrës dhe në menaxhimin e qëndrueshëm të zonave të mbrojtura”, u shpreh Jaupaj.
Në terren do të angazhohen specialistë të zonave të mbrojtura, ekspertë ornitologë, organizata mjedisore, studentë dhe vullnetarë të natyrës, të cilët do të kryejnë numërimin e specieve për të garantuar një proces sa më të plotë dhe cilësor.
Ministri nënvizoi se përfshirja e gjerë e aktorëve dhe vullnetarëve rrit besueshmërinë e të dhënave dhe ndërgjegjësimin publik për rëndësinë e ruajtjes së biodiversitetit, duke e kthyer këtë cens në një kontribut të çmuar jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe ndërkombëtar.

