Në Vuno prezantohet projekti për Muzeun Arbëresh, një qendër e re kujtese dhe identiteti kulturor

HIMARË,20 maj 2026/Albania Express News/Në fshatin bregdetar të Vunos u prezantua publikisht projekt-ideja për ndërtimin e Muzeut Arbëresh, një nismë me rëndësi të veçantë kulturore dhe historike, e ndërmarrë nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit në bashkëpunim me Bashkia Himarë dhe studion projektuese. Projekti synon krijimin e një hapësire moderne muzeale, e cila do t’i dedikohet historisë së arbëreshëve, emigrimit të shqiptarëve drejt Italisë dhe trashëgimisë së pasur kulturore që ky komunitet ka ruajtur ndër shekuj.

Takimi prezantues mblodhi përfaqësues institucionesh qendrore dhe vendore, ekspertë të trashëgimisë kulturore, studiues, aktorë të sektorit të turizmit, përfaqësues të komunitetit lokal, si dhe qytetarë të interesuar për të ardhmen e këtij projekti. Diskutimet u fokusuan në rëndësinë që Muzeu Arbëresh do të ketë për ruajtjen e kujtesës historike dhe promovimin e identitetit kulturor shqiptar, por edhe në ndikimin që pritet të sjellë në zhvillimin turistik dhe kulturor të zonës së Himarës.

Sipas konceptit të prezantuar, muzeu do të ndërtohet si një hapësirë bashkëkohore, ku historia e arbëreshëve do të rrëfehet përmes dokumenteve historike, materialeve arkivore, objekteve etnografike, teknologjisë digjitale dhe formave moderne të ekspozimit. Në fokus do të jetë udhëtimi historik i shqiptarëve që u larguan drejt Italisë shekuj më parë, duke ruajtur gjuhën, traditat, zakonet dhe identitetin kombëtar ndër breza.

Pjesëmarrësit vlerësuan se ngritja e këtij muzeu përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve kulturore mes Shqipërisë dhe komuniteteve arbëreshe në Itali, duke e kthyer Vunon në një pikë referimi për historinë dhe trashëgiminë arbëreshe në rajon.

Muzeu Arbëresh pritet të shërbejë jo vetëm si një qendër muzeale dhe edukative, por edhe si një destinacion i ri kulturor për vizitorët vendas dhe të huaj. Projekti synon të krijojë një urë mes së shkuarës dhe brezave të ardhshëm, duke promovuar vlerat e trashëgimisë shqiptare dhe duke i dhënë më shumë dimension kulturor dhe turistik zonës së jugut të vendit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME