“Ndihma juridike falas po afron qytetarët me drejtësinë” : Flet Arian Bala, Përgjegjës i zyrës së trajnimit të posaçëm pranë qendrës së shërbimit të ndihmës juridike parësore Elbasan

ELBASAN ,28 korrik 2026/Albania Express News/-Qendra e Shërbimit të Ndihmës Juridike Parësore Elbasan vijon të luajë një rol të rëndësishëm në garantimin e aksesit të qytetarëve në drejtësi, duke ofruar këshillim dhe asistencë juridike falas për të gjithë ata që kanë nevojë. Gjatë periudhës janar–qershor 2026, kjo qendër ka shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të rasteve të trajtuara, duke reflektuar rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për të drejtat e tyre. Për këtë proces dhe rezultatet e arritura, kemi zhvilluar një intervistë me z. Arian Bala, Përgjegjës i Zyrës së Trajnimit të Posaçëm pranë kësaj qendre.

Zoti Bala, si paraqitet veprimtaria e Qendrës së Shërbimit të Ndihmës Juridike Parësore Elbasan gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2026?

Gjatë periudhës janar–qershor 2026, Qendra e Shërbimit të Ndihmës Juridike Parësore Elbasan ka vijuar misionin e saj për të garantuar akses të barabartë në drejtësi për qytetarët. Rezultatet e arritura tregojnë një rritje të ndjeshme të kërkesës për shërbimet tona.

Në këtë periudhë janë trajtuar 214 raste, duke shënuar një rritje prej 128 rastesh më shumë, ose 145.45% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Kjo rritje është një tregues i rëndësishëm se qytetarët po informohen gjithnjë e më shumë për mundësinë që kanë për të përfituar ndihmë juridike falas dhe po e shohin Qendrën si një institucion ku mund të gjejnë orientim dhe mbështetje profesionale.

Çfarë përfaqësojnë këto shifra për ju dhe për stafin e Qendrës?

Për ne, çdo shifër përfaqëson një qytetar dhe një problem konkret ligjor që kërkon zgjidhje. Një rast nuk është thjesht një statistikë, por është një histori njerëzore, një familje apo individ që përballet me një situatë juridike dhe ka nevojë për informacion, këshillim dhe mbështetje.

Puna jonë synon që qytetarët të mos ndihen të vetëm përballë problemeve ligjore, veçanërisht ata persona që për shkak të pamundësive ekonomike nuk kanë mundësi të përballojnë kostot e një shërbimi juridik privat.

Cilat kanë qenë çështjet më të shpeshta për të cilat qytetarët janë drejtuar pranë Qendrës?

Gjatë kësaj periudhe kemi trajtuar një gamë të gjerë çështjesh civile dhe administrative. Ndër kërkesat më të shpeshta kanë qenë:

  • zgjidhje martese;
  • pjesëtim pasurie;
  • kërkesa për kthim sendi;
  • lëshim autorizimesh për takime me familjarët;
  • pajisje me vërtetime të ndryshme;
  • kërkesa për informacion;
  • këshillim dhe orientim juridik në fusha të ndryshme të së drejtës.

Këto raste tregojnë se nevojat e qytetarëve janë të ndryshme dhe kërkojnë trajtim individual, profesional dhe në përputhje me kuadrin ligjor.

Kush janë kategoritë kryesore që përfitojnë nga shërbimet e Qendrës?

Përfituesit kryesorë janë shtresat vulnerabël të përcaktuara në ligjin “Për Ndihmën Juridike të Garantuar nga Shteti”, por gjithashtu edhe qytetarët që kanë të ardhura dhe pasuri të pamjaftueshme për të përballuar kostot e shërbimeve ligjore.

Misioni i sistemit të ndihmës juridike është pikërisht mbështetja e atyre qytetarëve që kanë më shumë nevojë për mbrojtje dhe orientim ligjor. Ne synojmë që çdo person, pavarësisht mundësive ekonomike, të ketë mundësi të njohë dhe të mbrojë të drejtat e tij.

A mendoni se rritja e numrit të rasteve lidhet edhe me rritjen e ndërgjegjësimit qytetar?

Patjetër. Rritja prej 145.45% nuk është vetëm një tregues statistikor, por është dëshmi se qytetarët po ndërgjegjësohen gjithnjë e më shumë për të drejtën që kanë për të marrë ndihmë juridike falas.

Përmes informimit, bashkëpunimit me institucionet dhe aktiviteteve ndërgjegjësuese, qytetarët po njihen më mirë me shërbimet që ofron Qendra. Sa më shumë qytetarët të njohin të drejtat e tyre, aq më shumë rritet mundësia që ata t’i mbrojnë ato në mënyrë efektive.

Cili është roli i Zyrës së Trajnimit të Posaçëm në këtë proces?

Zyra e Trajnimit të Posaçëm ka një rol të rëndësishëm në garantimin e cilësisë së shërbimit dhe në përgatitjen profesionale të stafit. Një sistem efektiv i ndihmës juridike kërkon jo vetëm përkushtim, por edhe përditësim të vazhdueshëm të njohurive profesionale.

Trajnimet ndihmojnë që punonjësit të jenë të përgatitur për të trajtuar problematika të ndryshme juridike dhe për t’u ofruar qytetarëve një shërbim sa më cilësor dhe të standardeve të larta.

Sa i rëndësishëm është bashkëpunimi me institucionet e tjera?

Bashkëpunimi institucional është një element shumë i rëndësishëm për funksionimin sa më të mirë të sistemit të ndihmës juridike. Përmes bashkëpunimit me institucionet publike dhe organizata të ndryshme mundësohet orientimi i qytetarëve drejt shërbimeve të duhura dhe rritet efektiviteti i ndërhyrjeve tona.

Qëllimi është krijimi i një rrjeti funksional që i shërben qytetarit dhe garanton që askush të mos mbetet pa mbrojtje ligjore për shkak të mungesës së informacionit apo pamundësive ekonomike.

Cili është objektivi i Qendrës për periudhën në vijim?

Objektivi ynë është të vijojmë punën për zgjerimin e aksesit në drejtësi, rritjen e ndërgjegjësimit ligjor dhe ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për qytetarët.

Do të vazhdojmë të jemi pranë çdo personi që kërkon ndihmë dhe orientim juridik, duke ruajtur profesionalizmin, integritetin dhe përkushtimin ndaj misionit tonë.

Drejtësia duhet të jetë një e drejtë reale dhe e aksesueshme për të gjithë. Kur qytetarët njohin të drejtat e tyre dhe kanë mundësi t’i mbrojnë ato, drejtësia nuk mbetet vetëm një parim ligjor, por bëhet një realitet i prekshëm në jetën e çdo individi.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Dosja “Partizani”/ Apeli i Posaçëm lë në fuqi sekuestron e 25 pasurive të Argita dhe Jamarbër Malltezit

TIRANË ,28 korrik 2026/Albania Express News/-Gjykata e Apelit të...

Polemikat në ndeshjen Argjentinë-Zvicër, IFAB hedh poshtë vendimin e VAR: Kartoni i kuq për Embolon nuk duhej të jepej

SHBA ,28 korrik 2026/Albania Express News/-Një sqarim i publikuar...

SHBA – Demokratët amerikanë nisin hetime për korrupsion ndaj FIFA-s

UASHINGTON, 28 korrik 2026/Albania Express News/ – Një demokrat...