ELBASAN , 21 gusht 2026/Albania Express News/-Në kulmin e sezonit turistik dhe në ditët më të nxehta të verës, kur rrugët e Shqipërisë përballen me një fluks të shtuar automjetesh dhe udhëtarësh, deputeti socialist i Elbasanit, Adi Qose, ka përcjellë një apel të fortë për qytetarët, duke vënë në fokus punën dhe sakrificën e efektivëve të Policisë Rrugore.
Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Qose ka shprehur mirënjohjen për të gjithë efektivët që vijojnë të jenë në terren, në temperaturat e larta dhe në orët më të ngarkuara të qarkullimit, për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

“Në këto ditë të ngarkuara të verës, kur rrugët e Shqipërisë përballen me fluksin më të madh të lëvizjeve dhe temperaturat janë në nivelet më të larta, mijëra qytetarë zgjedhin të pushojnë, të udhëtojnë dhe të kalojnë kohë me familjet e tyre. Por në rrugët tona ka edhe shumë gra e burra që këto ditë i kalojnë në krye të detyrës”, shkruan deputeti.
Qose veçon veçanërisht punën e Policisë Rrugore, e cila në këto ditë përballet me një ngarkesë të shtuar për shkak të lëvizjeve masive në akset kombëtare, duke garantuar menaxhimin e trafikut dhe sigurinë e udhëtarëve.
Sipas tij, pas çdo udhëtimi të sigurt qëndron edhe një punë e përditshme që shpesh kalon pa u vënë re nga qytetarët.

“Një mirënjohje për të gjithë efektivët e Policisë Rrugore që, në diellin përvëlues dhe në orët më të ngarkuara të qarkullimit, janë aty për të garantuar sigurinë, për të orientuar trafikun dhe për të qenë pranë qytetarëve”, shprehet Qose.
Në mesazhin e tij, deputeti nënvizon se prezenca e efektivëve në rrugë është një nga elementët e rëndësishëm që kontribuon në sigurinë e udhëtimeve, duke e cilësuar atë si një formë të “prezencës së shtetit në rrugë”.
“Pas çdo udhëtimi të sigurt ka edhe një punë që shpesh nuk e shohim; prezencën e shtetit në rrugë, përgjegjësia dhe përkushtimi i atyre që janë në shërbim ndërsa të tjerët pushojnë”, thekson ai.

Në fund të reagimit, Adi Qose përcjell një mesazh të drejtpërdrejtë respekti për efektivët e Policisë Rrugore, duke e mbyllur apelin me fjalët: “Mirënjohje dhe respekt”.
Mesazhi vjen në një periudhë kur lëvizjet në rrugët e vendit janë në nivelet më të larta të sezonit, ndërsa puna e forcave të Policisë Rrugore mbetet thelbësore për menaxhimin e trafikut dhe rritjen e sigurisë për mijëra qytetarë që udhëtojnë drejt destinacioneve turistike.

