TIRANË, 20 tetor 2026 /Albania Express News/-Dita e tetë e protestave në Tiranë nisi me ftesën e përsëritur të kryeministrit Edi Rama për dialog me studentët dhe protestuesit, por vijoi me refuzimin e tyre dhe u përshkallëzua më pas në përplasje të dhunshme në disa zona të kryeqytetit.
Nga tubimi pa incidente para Kryeministrisë, protesta u zhvendos te Ministria e Arsimit dhe më pas sërish në bulevard, ndërsa gjatë mbrëmjes tensionet vijuan në sheshin “Skënderbej”, pranë Katedrales Ortodokse dhe përsëri para godinës së qeverisë.
Fillimisht, një grup pedagogësh u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, ku më pas iu bashkuan edhe studentë. Në të njëjtën kohë, drejtoresha e Agjencisë për Media dhe Informim, Manjola Hasa, doli pranë karrigeve të vendosura simbolikisht për dialog, duke përsëritur ftesën e Ramës se studentët, të rinjtë dhe qytetarët që dëshironin të diskutonin me kreun e qeverisë ishin të mirëpritur.

