TIRANË , 21 gusht 2026/Albania Express News/-Momenti ka mbërritur. Fjalët dhe merkatoja janë harruar. Fusha do të flasë dhe skena është e binomit trajnerë-lojtarë. Kategoria Superiore nis sot në mbrëmje, me sezonin 2026-27 që pritet të sjellë një tjetër garë të fortë dhe të paparashikueshme.Superiore
Është edicioni i 88-të i kampionatit shqiptar, me skuadrat që nisin nga e para në një sezon ku objektivat janë të ndryshëm, por ambicia mbetet e njëjtë, të jesh në krye. Egnatia e nis kampionatin si kampione në fuqi, ndërsa Elbasani vjen pas saj si nënkampione. Në elitë rikthehen edhe dy skuadra me histori në futbollin shqiptar, Laçi dhe Skënderbeu, duke e çuar në dhjetë numrin e ekipeve që do të garojnë për trofeun dhe mbijetesën.
Por pyetja që shoqëron startin është e njëjtë çdo vit, kush do të jetë surpriza e madhe e Superiores?
Dinamo City , nga dy Kupa drejt titullit?
Dinamo e nis sezonin me një ambicie të qartë. Pas fitimit të dy kupave, skuadra kryeqytetase kërkon të bëjë hapin tjetër dhe të rikthehet në majën e kampionatit. Pyetja është nëse forma dhe eksperienca e fituar në sezonet e fundit do të mjaftojnë për ta kthyer Dinamon në një kandidate reale për titull.
Partizani dhe Tirana
Dy emra të mëdhenj të futbollit shqiptar, Partizani dhe Tirana, nuk mund të nisen me objektiva modestë. Të kuqtë kërkojnë të jenë sërish protagonistë në garën për titull, ndërsa bardheblutë kanë një mision edhe më të madh, të rikthehen te lavdia e munguar. Tirana e nis sezonin me një përballje të fortë, pasi në javën e parë udhëton në Rrogozhinë për t’u përballur me kampionen Egnatia. Një start që mund të japë që në fillim disa sinjale për atë që mund të sjellë sezoni.
Tetova dhe Teuta
Një tjetër skuadër që meriton vëmendje është Teuta. Me Edlir Tetovën në krye, durrsakët synojnë të ndërtojnë një ekip konkurrues dhe të jenë më shumë se një skuadër që lufton për pozicionet e mesit të tabelës. A mund të jetë Teuta surpriza e madhe e këtij kampionati? Përgjigjen do ta japë fusha. Ndërkohë, Laçi dhe Skënderbeu, të sapoardhur në elitë, do të kërkojnë të tregojnë se rikthimi i tyre nuk është thjesht një kalim. Për bardhezinjtë dhe korçarët, objektivi i parë do të jetë stabilizimi në Superioren, por një sezon i mirë mund t’i çojë edhe më lart pritshmëritë.
Java e parë
Sezoni hapet me përballjen Skënderbeu–Vllaznia, ndërsa të shtunën luhen dy takime Elbasani–Laçi dhe Partizani–Teuta. Të dielën vëmendja zhvendoset te kryeqyteti, ku Dinamo përballet me Vorën, ndërsa në mbrëmje vjen dueli më i fortë i javës, Egnatia–Tirana. Një kampionat i ri, dhjetë skuadra, objektiva të ndryshëm dhe vetëm një trofe. Egnatia kërkon të mbrojë kurorën, Dinamo të bëjë hapin drejt titullit, Partizani e Tirana të rikthehen në majë, ndërsa të tjerët duan të prishin parashikimet. Superiorja është gati. Nga sonte nis beteja për 2026-27.

